Blerand Ramadani takon mësimdhënësit e Sarajit: Investime për shkolla moderne dhe mbështetje për mësuesit dhe nxënësit!
Blerand Ramadani, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Sarajit, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me mësimdhënësit e komunës, ku ka prezantuar programin e tij për arsimin dhe ka dëgjuar nga afër sfidat e komunitetit arsimor.
Takimi u zhvillua në prani të deputetit të zonës z. Blerim Bexheti, kryetarit aktual dhe bartësit të listës z. Iljaz Veseli, shefit të shtabit z. Senehat Murtezani, si dhe kandidates për Këshillin e Qytetit të Shkupit, znj. Nezrane Rustemi.
Në diskutim me mësimdhënësit, Ramadani vuri theksin te transformimi i arsimit në dy drejtime kryesore: përmirësimi i infrastrukturës shkollore dhe ngritja e cilësisë së procesit mësimor. Ai theksoi se investimi në shkolla të sigurta, moderne dhe funksionale, si dhe në zhvillimin profesional të mësuesve, është parakusht për një sistem arsimor të suksesshëm dhe të qëndrueshëm.
“Sot nuk mund të flasim për arsim cilësor pa përfshirë teknologjinë, mësimin interaktiv dhe përkujdesjen psiko-sociale ndaj nxënësve. Mësuesit janë shtylla e sistemit, dhe programi ynë ka në thelb mbështetjen e tyre për të ndihmuar çdo nxënës të arrijë potencialin e vet të plotë,” u shpreh Ramadani gjatë takimit.
Ai shtoi se arsimi duhet të jetë në përputhje me kërkesat e tregut të punës, si në nivel lokal ashtu edhe global, dhe se bashkëpunimi me mësimdhënësit është kyç për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt për të rinjtë e Sarajit.
Në fund të takimit, Ramadani falënderoi mësuesit për përkushtimin e tyre dhe theksoi se një Saraj që beson në dije, zhvillim dhe perspektivë, ndërtohet vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët./TS