Humbja po afrohet dhe Bilall Kasamin e kanë kapur ethet e 2 Nëntorit. Sipas informacioneve të portalit TS, takimi mes Bilall Kasamit dhe kryeministrit Hristijan Mickoski nuk ka qenë as produktiv dhe as shpresëdhënës për liderin e Besës. Takimi është mbajtur dje në ndërtesën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, por ndonëse Kasami përmes sekretarit të përgjithshëm të qeverisë u përpoq ta paraqesë si një takim të rëndësishëm para fillimit të takimit, nga Qeveria nuk u publikua asnjë fotografi apo deklaratë zyrtare. Edhe Kasami heshti pas takimit që tregon qartë për një goditje të rëndë politike që ai ka marrë nga Mickovski.
Konflikti mes Kasamit dhe Mickoskit ka rrënjë të thella, por u përshkallëzua pas përpjekjeve të Kasamit që në Shqipëri të paraqitej si “patriot”, duke mbështetur kandidatin shqiptar në Kërçovë, ndërkohë që në Tetovë shmangu gazetarët kur u pyet për deklaratat e tij.
Pas paraqitjes së Kasamit në mediat e Tiranës, Mickoski reagoi ashpër, duke i dërguar “selame” se ata që merren me tema nacionaliste do të pësojnë njësoj si Ali Ahmeti i Zajazit.
Ndërkohë, në radhët e VMRO-së në Tetovë mbizotëron heshtja për zgjedhjet e 2 Nëntorit. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se Bilall Kasami pritet të bojkotohet plotësisht nga VMRO-ja dhe nuk do të marrë asnjë mbështetje. Madje, pas Mickoskit dhe Nikollovskit, edhe disa ministra të kësaj partie thuhet se janë rreshtuar kundër Kasamit, duke thelluar ndarjet brenda koalicionit.
Sipas të dhënave të KSHZ-së, Kasami ka marrë mbi 2000 vota nga elektorati i VMRO-së. Kjo është një shenjë e qartë se suksesi i tij varet drejtpërdrejt nga qëndrimi i këtij elektorati. Nëse votuesit e VMRO-së zgjedhin të bojkotojnë zgjedhjet e 2 Nëntorit, humbja e Kasamit duket e pashmangshme ndërsa nëse ata e “ndëshkojnë” aktivisht, rezultati mund të jetë fatal për të.
Aktualisht, gara mes Bilall Kasamit dhe Bajram Rexhepit ka nisur nga zero, dhe gjithçka tregon se përballja do të jetë e ashpër dhe vendimtare./TS/