Tetova do të vendosë në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale, ku përballë do të jenë kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Bajram Rexhepi, dhe kandidati i Koalicionit VLEN, Bilall Kasami.
Sipas rezultateve të deritanishme, asnjëri prej tyre nuk arriti të sigurojë shumicën e votave në raundin e parë, duke sjellë kështu nevojën për një balotazh që do të vendosë fituesin e zgjedhjeve për kryetar të komunës së Tetovës, njofton TS.
Bajram Rexhepi falenderoi qytetarët për besimin dhe përkrahjen e dhënë dhe premtoi se do të vazhdojë me përkushtim dhe energji të plotë për të sjellë ndryshime pozitive në qytet.
Ndërkaq, Bilall Kasami sapo shpalli fitoren dhe ftoi simpatizantët e VLEN-it për festime në qendrën e Tetovës, ku doli për të festuar me ta rezultatin e arritur.
Në balotazh, garuesit do të përpiqen të sigurojnë mbështetjen e më shumë qytetarëve për të fituar drejtimin e komunës së Tetovës për katër vitet e ardhshme./TS