Berisha përshëndet marrëveshjen e paqes për Gazën: Meritë e jashtëzakonshme e presidentit Trump

Berisha deklaroi se marrëveshja e fazës së parë për paqen në Gazë përbën një zhvillim historik me ndikim të thellë në stabilitetin ndërkombëtar.

Në një deklaratë për mediat, lideri i opozitës theksoi se kjo arritje përbën një hap të madh drejt normalizimit në Lindjen e Mesme, duke shpresuar që fazat e tjera të procesit do të sjellin fundin e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës.

Berisha vlerësoi në mënyrë të veçantë roli e presidentit amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë si “një meritë të jashtëzakonshme” për përpjekjet e tij në arritjen e kësaj marrëveshjeje me impakt të madh në paqen botërore.

Deklarata e plotë për media:

Unë sot gjithashtu para jush dua të përshëndes edhe njëherë marrëveshjen historike të fazës së parë të planit të paqes për Gazën.
Është një arritje, në vlerësimin tim, e jashtëzakonshme dhe uroj dhe shpresoj që fazat e tjera të ndjekin fazën e parë dhe Lindja e Mesme të dalë nga spiralja e konfliktit.
Izraelitët, palestinezët dhe kombet e tjera të jetojnë në paqe dhe prosperitet në këtë vend.
Kjo është një meritë e jashtëzakonshme e presidentit Donald Trump.
Natyrisht edhe e aktorëve të tjerë, të cilët ai i citoi në arritjen e kësaj marrëveshje.
Një arritje me një impakt të madh në paqen botërore.