BDI: I kërkojmë popullit të na mbështesë neve

Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi ndaj deklaratave të fundit të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pas atyre lokale. Sipas BDI-së, Mickoski mund të jetë i gatshëm për një matje të re elektorale, por “problemi qëndron te aleatët e tij shqiptarë të VLEN-it, të cilët po bëjnë gjithçka për t’i shmangur zgjedhjet”.

“VLEN e di shumë mirë se pas 19 tetorit nuk do të mund të fshihet më pas Mickoskit, sepse shqiptarët do t’i ndëshkojnë për nënshtrimin, për dështimet dhe për mungesën totale të legjitimitetit,” thuhet në reagim.

Sipas BDI-së, arsyetimet e VLEN-it për të mos mbajtur zgjedhje janë “të mjera”, dhe nuk mund të fshehin frikën e tyre nga vota e popullit.
“U kujtojmë se shpenzimet e zgjedhjeve janë shumë më të vogla se dëmi që ata i kanë shkaktuar shtetit me degradimin, kontratat fiktive dhe shitjen e pronës publike,” thuhet në komunikatë.

Në të njëjtën linjë, partia thekson se VLEN “nuk frikësohet nga zgjedhjet, por nga populli”.
“Populli ua ka lexuar realitetin politik: tradhti, servilizëm dhe nënçmim. Ata e dinë se çdo votë shqiptare do të jetë votë kundër tyre,” vijon reagimi.

BDI përfundon deklaratën me mesazhin se është e gatshme për zgjedhje “në çdo moment”, duke e cilësuar votën si “matësin më të drejtë të vullnetit të popullit”.

“VLEN po i lutet padronit të mos ketë zgjedhje. Ne po i kërkojmë popullit të flasë me votë. Dallimi është i qartë: ata luten për pushtet, ne punojmë për dinjitet,” përfundon reagimi i BDI-së.