Banka serbe “Alta” që bleu “Stopanska Bankën” do të ndërtojë një rrokaqiell me 35 kate

Banka serbe Alta Banka, e cila e bleu “Stopanska Banka Bitola”, ka njoftuar ndërtimin e selisë së saj të re në Beograd – kullën “Alta Tower”. Projekti, siç thuhet në njoftimin e bankës, do të kombinojë hapësira zyrtare, banesore, tregtare dhe hotelerike, si dhe një shesh publik të ri, me qëllim të krijimit të një qendre moderne për biznes dhe komunitet.

“Kulla do të ketë 35 kate dhe një sipërfaqe totale prej 79.470 metrash katrorë. Dizajni është vepër e studios britanike Zaha Hadid Architects (ZHA) në bashkëpunim me zyrën beogradase Biro Cub Partners (BCP)”, thuhet në njoftim. Sipas autorëve, arkitektura pasqyron misionin themelor të bankës – stabilitet, siguri dhe qëndrueshmëri – duke ofruar një ambient modern pune që nxit bashkëpunimin dhe inovacionin.

“Ndërtimi i kullës në vendin e selisë aktuale të Alta Bankës simbolizon rritjen dinamike të institucionit, i cili në vitin 2023 ka shënuar rritje 22 herë më të madhe krahasuar me vitin paraprak. Që nga vera e këtij viti, banka e ka zgjeruar shërbimin e saj për pagesën e faturave të energjisë elektrike dhe ka hapur sportele në stacione policore në të gjithë Serbinë”.

Pronari i bankës, oligarku i afërt ne regjimin e Vuçiçit, Davor Macura, i cili ka filluar aktivitetin e tij me zyra këmbimi valutor dhe sot menaxhon disa kompani, më parë ka investuar në pasuri të paluajtshme madhore, përfshirë tokën e ish-fabrikës IMT në Novi Beograd, ku planifikon ndërtimin e kompleksit banesor dhe afarist “Zelena Linija” (Linja e Gjelbër).

“Projekti ‘Alta Tower’ konfirmon ambicien e Alta Bankës për të forcuar praninë e saj në tregun serb dhe për të vendosur standarde të reja në infrastrukturën e kombinuar afaristo-banesore”, ka thënë Macura.