Një person është arrestuar mbrëmë në Ferizaj. I njëjti dyshohet për vjedhje të rëndë.
Policia njofton se informatën e kanë marrë mbrëmë rreth orës 22:00. Rasti ka ndodhur “Mustafë Xhigolli”.
“Njësitë e hetimeve rajonale dhe forenzikës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Nga ekzaminimet fillestare është dyshuar se personi/na të panjohur kishin depërtuar në shtëpinë e viktimës përmes thyerjes së xhamit të dritares së pasme, duke vjedhur stoli ari në vlerë rreth 10.000 euro, si dhe pajisjen DVR të kamerave të sigurisë.
Gjatë zhvillimit të hetimeve, njësia hetimore ka identifikuar një automjet të dyshuar të tipit Audi A4, ngjyrë hiri, që drejtohej nga A. Xh.( 25 vjeç) .Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur mjete të dyshimta, përfshirë një shpues elektrik dhe një palë këpucë, të cilat përputhen me gjurmët e lëna dhe pamjet nga kamerat e sigurisë nga kryesi i veprës”, njofton Policia.
I dyshuari ka tentuar të largohet, por pas një ndjekjeje është arrestuar nga hetuesit policorë.
Me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti është sekuestruar për procedura të mëtejshme hetimore, bën të ditur policia. /Reporteri.net/
 
			 
				