Arbër Ademi: Policia u keqpërdor për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve (VIDEO)

Zëdhënësi i Aleancës Kombëtare për Integrim, Arbër Ademi, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me integritetin e procesit zgjedhor, duke akuzuar pushtetin për keqpërdorim të institucioneve shtetërore në veçanti të policisë me qëllim ndikimi te votuesit.

“Edhe ne kemi evidentuar vërejtje të caktuara për keqpërdorim të institucioneve e sidomos ka pasur keqpërdorim të policisë, për të ndikuar në ndryshimin e vullnetit të qytetarëve. Por qëllimi nuk do të arrihet. Vullneti i qytetarëve nuk do të ndryshohet,” deklaroi Ademi para gazetarëve, njofton TS.

Duke komentuar zhvillimet e ditës zgjedhore, ai theksoi se ndonëse janë vërejtur lëshime dhe parregullsi, barra e përgjegjësisë bie mbi pushtetin aktual, i cili sipas tij, ka dështuar në garantimin e një procesi të ndershëm.

“Ka pasur lëshime të caktuara, por një gjë është e sigurt: të gjithë pajtohemi që barra e përgjegjësisë për organizimin e zgjedhjeve i bie pushtetit. Të gjitha këto lëshime do t’i adresojmë me përgjegjësi institucionale në institucionet përkatëse,” shtoi ai.

Ademi bëri thirrje për vigjilencë dhe ruajtje të integritetit të votës deri në fund të procesit të numërimit, duke theksuar se qytetarët kanë folur qartë dhe vullneti i tyre duhet të respektohet./TS