Ambasadori Meidani takon ish-presidentin Pendarovski, bisedojnë për zhvillimet politike dhe zgjedhjet lokale

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka zhvilluar një takim miqësor me ish-presidentin Stevo Pendarovski, i cili aktualisht ushtron edhe rolin e profesorit dhe intelektualit të angazhuar publikisht.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasadori Meidani ka shkruar se takimi ishte një mundësi e këndshme për të shkëmbyer mendime miqësore dhe për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend.

“Gjithmonë është kënaqësi të shkëmbej mendime miqësore me ish-presidentin Stevo Pendarovski, tashmë edhe në rolin e tij si profesor i respektuar dhe intelektual i angazhuar. Diskutuam për zhvillimet e fundit politike dhe këndvështrimin e tij mbi dinamikat e zgjedhjeve të fundit lokale – gjithmonë me qartësi, thellësi dhe respekt për proceset demokratike”, ka shkruar ambasadori Meidani.

Takimi është vlerësuar si një shembull i mirë i dialogut të hapur dhe bashkëpunimit institucional midis përfaqësuesve diplomatikë dhe figurave të rëndësishme akademike e politike në vend.