Ali Ahmeti nga Tirana: 19 tetori është referendum për dinjitetin dhe legjitimitetin e shqiptarëve në Maqedoni (VIDEO)

Në një intervistë për Top Channel, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se zgjedhjet që do të mbahen më 19 tetor në Maqedoninë e Veriut nuk janë thjesht proces për zgjedhje lokale, por një referendum në mbrojtje të legjitimitetit dhe krenarisë së shqiptarëve.

Ahmeti theksoi se kjo fushatë ka qenë ndryshe nga të gjitha të mëparshmet, pasi është zhvilluar nën hijen e një padrejtësie të thellë politike, ku sipas tij, fituesit shqiptarë të zgjedhjeve të fundit u përjashtuan nga përfaqësimi legjitim në pushtet.

“Këto zgjedhje janë shumë specifike. Në këtë fushatë, më shumë se kurrë është folur dhe debatuar për mbrojtjen e legjitimitetit dhe krenarisë së shqiptarëve. Gjatë këtyre 12-13 muajve të fundit, pjesës që fitoi legjitimitetin me votë të lirë iu mohua përfaqësimi nga forca e parë politike maqedonase, që vendosi të përjashtojë shqiptarët nga drejtimi i shtetit”, tha Ahmeti, njofton TS.

Duke i bërë jehonë zërit të votuesve shqiptarë, ai shtoi:

“Nuk e them vetëm unë e thonë edhe ata të VLEN-in që e votuan ndryshimin: ‘Ne votuam për dinjitet, jo për poshtërim.’”, theksoi Ahmeti.

Ali Ahmeti nënvizoi se më 19 tetor shqiptarët do të votojnë jo vetëm për përfaqësim politik, por për dinjitetin e tyre kombëtar:

“Zgjedhjet janë referendum për mbrojtjen e krenarisë dhe legjitimitetit shqiptar. Pas 19 tetorit do të ketë zhvillime shumë interesante. Do të shihet qartë se si do të mbrohet zëri i shqiptarëve.”

Ahmeti ndodhet në Tiranë në prag të protestës së madhe në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku tha se kjo ditë është më shumë se simbolike, duke e cilësuar Sheshin Skënderbej si vendin ku duhet të ushtojnë thirrjet për liri dhe drejtësi për çlirimtarët./TS