Ali Ahmeti: Kërkesa ime e parë gjeneralit amerikan në vitin 2001: Zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës (VIDEO)
Gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoninë e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ndau një moment të veçantë nga viti 2001, kur ishte në kulmin e angazhimit të tij për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, njofton TS.
“M’u kujtua, gjatë leximit që bënë profesorët, se në vitin 2001 pata një takim me gjeneralin e forcave të NATO-s në Napoli, Gregory G. Johnson. Në atë takim në shtabin e Shipkovicës, i thashë:
‘Gjeneral, nuk iki dot pa u zyrtarizu Universiteti i Tetovës. Është rast unikal në botë. Ky është një universitet që është hapur me gjak. Në themelet e tij ka gjak. Ju amerikanët jeni patriotë dhe e vlerësoni sakrificën, si për kombin tuaj, ashtu edhe për kombet e tjera.’”
Ahmeti shtoi se mund të ishte e mundur që arsimi në gjuhën shqipe të përfshihej në Marrëveshjen e Ohrit, por ai kishte frikë se mund të dilnin pengesa të reja për zyrtarizimin konkret të Universitetit të Tetovës.
“Ishte një moment shumë i rëndësishëm. Universiteti kishte disa vite që funksiononte, kishin dalë gjeneratat e para, dhe ne nuk mund të lejonim që ai të mbetej një institucion i papranuar, pa status. Për ne ishte më shumë se universitet – ishte simboli i rezistencës sonë paqësore dhe i sakrificës kolektive.”
Me këtë rrëfim, Ahmeti nënvizoi se arsimi në gjuhën shqipe ka qenë gjithmonë një nga shtyllat e betejës së tij politike dhe kombëtare, dhe se zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës mbetet një nga arritjet më të mëdha në historinë moderne të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut./TS