Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska sot e emëroi Aleksandar Jovanovskin për u.d. drejtor të ri të NP Higjiena Komunale-Shkup.
Aleksandar Jovanovski, siç njoftuan nga Qyteti i Shkupit, në pozitën e drejtorit të Higjienës Komunale-Shkup vjen si inspektor në Sektorin për inspektorat në Qytetin e Shkupit, ndërsa paraprakisht kishte përvojë edhe në Sektorin për zhvillim ekonomik lokal.
Jovanovski, ka përvojë shumëvjeçare në sektorin privat në tregti si udhëheqës i njësisë organizative, ndërsa me angazhim në punë në Shoqatën për mbrojtjen dhe avancimin e mjedisit jetësor ka punuar në realizimin e projekteve përgjegjëse ekologjike dhe shoqërore.
Ai ka kryer arsimin e lartë për menaxhment në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip dhe ka certifikatë ndërkombëtare për Qasje institucionale për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Më herët gjatë ditës së sotme, Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale – Shkup i kërkoi Arsovskës që urgjentisht të emërojë një drejtor të ri në detyrë.
Në një shkresë drejtuar kryetares së Qytetit të Shkupit, BD theksoi se të gjitha kompetencat dhe autoritetet për të emëruar dhe shkarkuar drejtorët e kompanisë i përkasin ekskluzivisht asaj.
“Si Bord Drejtues i NP Higjiena Komunale – Shkup, ju informojmë se, në kundërshtim me pretendimet tuaja, të gjitha kompetencat dhe autorizimet për emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve të NP Higjiena Komunale – Shkup i keni ekskluzivisht JU. Sipas nenit 24, paragrafi 2, nenit 23, paragrafi 3 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe nenit 40 të Statutit të NP Higjiena Komunale- Shkup (bashkëngjitur), ekskluzivisht JU si kryetare e Qytetit të Shkupit i keni kompetencat për të emëruar një drejtor të përkohshëm të NP Higjiena Komunale – Shkup, duke pasur parasysh se situata në ndërmarrje e kërkon URGJENTISHT. Gjithashtu, dëshirojmë t’ju kujtojmë se gjatë katër viteve të fundit, ishit JU ata që emëruat pesë drejtorë u.d. të NP Higjiena Komunale – Shkup dhe shkarkuat katër prej tyre”, qëndron në dokumentin e Bordit Drejtues, të titulluar “Urgjencë emergjente”, i cili iu dërgua mediave.
Në dokument qëndron edhe se në fund janë rezervat e naftës të destinuara për automjetet e specializuara komunale të cilat përdoren për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale, që nuk mund të furnizohet pa nënshkrimin e u.d. drejtorit.