Ahmeti thumbon kundërshtarët: Ne bënim marrëveshje ndërkombëtare, ju bëni kanalizime! (VIDEO)

Në një tubim të fuqishëm të organizuar nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Saraj, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, mbajti një fjalim emocional dhe simbolik, duke kujtuar rrugëtimin historik të shqiptarëve dhe duke ironizuar përqasjen sipërfaqësore të disa kundërshtarëve politikë.

“Ne kemi bërë fushata shumë të fuqishme. Merreshim me marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa disa të tjerë sot merren me kanalizime dhe asfaltime. O djem, aman! Ju jeni analistë, publicistë, gazetarë – Jugosllavia nuk u prish për kanalizime e asfalt, por sepse shkeli të drejtat e shqiptarëve,” deklaroi Ahmeti para një turme entuziaste, njofton TS.

Ai u kujtoi qytetarëve historinë e lëvizjes kombëtare dhe sakrificat që janë bërë për të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut:

“Unë jam nga ata që dolën nga lëvizja studentore. Ne nuk u ngritëm për kanalizime e asfalt. Ne u ngritëm për republikë, për shtet, për drejtësi, për universitet në gjuhën shqipe në Shkup, dhe sot ato janë të realizuara,” theksoi ai.

Por sipas Ahmetit, sfida nuk përfundon me realizimin e këtyre të drejtave, por me mbrojtjen e tyre.

“Tani është koha që ato të drejta të mbrohen nga njerëz që kanë dinjitet dhe legjitimitet. Më vjen keq për disa prej tanëve që janë aty, e para, nuk e kanë legjitimitetin. E dyta, më falni, por shkuan sepse i thirri Agaj!”

Fjalimi i Ahmetit u prit me ovacione dhe duartrokitje të gjata, duke reflektuar përkrahjen që AKI dhe aleatët e saj po marrin në terren./TS