Ahmeti për protestën mbarëkombëtare në Tiranë: Tubimi dëshmoi mbështetjen e popullit për luftëtarët e lirisë (VIDEO)

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka qenë i ftuar në emisionin “Tema e ditës” në RTSH, drejtuar nga Arbër Hitaj, për të komentuar protestën mbarëkombëtare të zhvilluar në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ahmeti, i cili ishte një nga folësit e paralajmëruar në tubimin “Liria ka emër” në Sheshin “Skënderbej”, ka analizuar në studio mesazhin dhe rëndësinë e tubimit të sotëm, i cili pa një mobilizim masiv dhe unitet politik përtej ndarjeve partiake.

Ahmeti, ka vlerësuar protestën mbarëkombëtare të zhvilluar sot në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si një moment shumë të rëndësishëm, i cili dëshmoi mbështetjen e popullit për luftëtarët e lirisë që po gjykohen në Hagë.

Ahmeti theksoi edhe rolin e autoriteteve shqiptare në zhvillimin e tubimit.

Sipas tij, krahas shoqatave të ish-luftëtarëve të UÇK-së, edhe shteti shqiptar dhe Kryeministri Edi Rama kanë dhënë ndihmë për organizimin e kësaj proteste.

“Kryeministri Edi Rama ndihmoi, ndonëse në heshtje, por në mënyrë shumë përmbajtësore, për të dhënë mesazhin në Hagë se populli është me UÇK-në, është me ata që luftuan për lirinë,” deklaroi Ahmeti.

Duke folur për rëndësinë e të paraburgosurve, Ahmeti theksoi se ata nuk janë vetëm figura historike, por edhe kontribues të zhvillimit të Kosovës:

“Ata janë kontribues jo vetëm për lirinë e Kosovës, por dhe për ndërtimin e saj duke filluar që nga pavarësia“.