Arbër Ademi, nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka thënë se bashkë me kryetarin e partisë, Ali Ahmetin, ishin dje në protestën që u mbajt në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ai ka pohuar se kjo protestë ka rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët.
“Nuk kaloi pa emocione të fuqishme ajo protestë e madhe mbarëkombëtare në kryeqendrën shqiptare, në Tiranë. Ka qenë një ditë e madhe edhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë”, u shpreh Ademi.
I njëjti theksoi se bashkë me Ahmetin zhvilluan takime në Tiranë edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe me kryetarin e Kuvendit atje, Niko Peleshin.
“Sigurisht se zoti Ali Ahmeti, si bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si themelues i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare këtu në Maqedoni, vendin e kishte sigurisht në Tiranë, duke anuluar të gjitha aktivitetet zgjedhore të ditës së fundit të fushatës për zgjedhjet lokale këtu në Maqedoninë e Veriut”.
“Dita filloi me takim te presidenti Bajram Begaj dhe te kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, dhe vazhdoi me shumë takime të tjera me bashkëluftëtarë të zotit Ahmeti”, tha Ademi.
Ademi përmendi edhe porositë që patën në protestë: “Besoj se i gjithë opinioni e ka parë atë ngjarje të rëndësishme që iu drejtua me një porosi të gjitha qendrave ndërkombëtare, se çlirimtarët po mbahen të privuar nga liria, ku u tha njëzëri se liria dhe çlirimtarët nuk mund të gjykohen, ata që mbrojtën pragun e shtëpisë mbi akuza të fabrikuara nga Beogradi dhe nga Moska”.