30 shoferë të dënuar në Ferizaj për përdorim të telefonit gjatë ngasjes

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, ka shqiptuar 30 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin celular gjatë ngasjes së automjetit.

Ky aksion është ndërmarrë pas fushatës disa ditore me moton: “Një sekond në telefon mund të bëhet shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon.”

“Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të përqendrohen në ngasjen e automjetit dhe të shmangin përdorimin e telefonit, pasi një moment pakujdesie mund të ketë pasoja për jetën e njerëzve”.

“Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të aksidenteve rrugore”, thuhet tutje në njoftimin e policisë./Klankosova.tv