Në reagimin e tij të parë ndaj sulmeve të natës së kaluar nga Rusia, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve që “të zbatojnë gjithçka që është rënë dakord në Paris”. Në Telegram, Zelensky shkruan se Ukraina është goditur nga “më shumë se 800 dronë, 13 raketa, katër prej tyre balistike”.
Duke iu referuar raporteve se një grua 32-vjeçare dhe foshnja e saj dy muajshe janë vrarë në Kiev, ai shprehet:
“Vrasje të tilla tani, kur diplomacia e vërtetë mund të kishte nisur prej kohësh, janë një krim i qëllimshëm dhe një zgjatje e luftës.”
Pas takimit të të ashtuquajturit “koalicioni i të gatshmëve” në Paris këtë javë, për diskutime të mëtejshme mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, Zelensky u bën sërish thirrje aleatëve që “të zbatojnë gjithçka që është rënë dakord”.
Siç raportuam më herët, Vladimir Putin ka refuzuar çdo sugjerim për dërgimin e një “forcë sigurie” nga ana e aleatëve të Ukrainës pas arritjes së një armëpushimi me Rusinë.
Një kthesë e re në sulmet e Rusisë
Kjo është një kthesë e re në sulmet e Rusisë kundër Ukrainës.
Deri tani, asnjë ndërtesë qeveritare nuk ishte goditur – qendra e Kievit është shumë e mbrojtur që prej fillimit të pushtimit në shkallë të plotë.
Prandaj ky sulm do t’i tronditë njerëzit.
Është një goditje simbolike. Tregon qartë gjithashtu se deklaratat e Vladimir Putinit për gatishmëri për paqe janë vetëm një lojë politike. Ai nuk po ndalet. Përkundrazi, Rusia po i intensifikon sulmet.
Nuk na lejohet të afrohemi pranë ndërtesës së kabinetit: e gjithë zona është e rrethuar nga pika kontrolli, pasi aty ndodhen të gjitha institucionet kryesore – qeveria, parlamenti dhe pallati presidencial.
Megjithatë, më herët pamë helikopterë që fluturonin mbi zonën duke hedhur ujë mbi flakët. Reja e tymit që ngrihej mbi qytet nga zjarri ishte masive.
Nuk dihet ende për viktima në këtë vend – sulmi ndodhi herët në mëngjesin e së dielës.
Por në pjesë të tjera të Kievit dhe të Ukrainës ka të vrarë dhe të plagosur: një grua dhe foshnja e saj u vranë në banesën e tyre këtë mëngjes. Ekipet e shpëtimit po kërkojnë ende për viktima të tjera.
Zelensky shkruan:
“Bota mund t’i detyrojë kriminelët e Kremlinit të ndalojnë së vrari – gjithçka që nevojitet është vullnet politik.”/BBC