Zelensky: Amerika e shtyn Rusinë drejt paqes, Trump: Ukraina rikthen territoret

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbrëmë deklaroi se beson se SHBA-të do ta “shtyjnë Rusinë drejt paqes”, pak pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se Kievi është “në pozitë” për të rikthyer të gjithë territorin e humbur nga Moska.

“Jam mirënjohës për këtë takim dhe presim që veprimet amerikane ta shtyjnë Rusinë drejt paqes. Moska ka frikë nga Amerika dhe gjithmonë i kushton vëmendje,” tha presidenti ukrainas në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Trump më herët kishte shkruar në rrjetin e tij social Truth Social se beson që Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, mund ta rikthejë të gjithë territorin e pushtuar që nga fillimi i invazionit.

“Me kohë, durim dhe mbështetje financiare nga Evropa, veçanërisht nga NATO, kufijtë origjinalë nga fillimi i luftës janë një opsion shumë i mirë,” tha Trump menjëherë pas takimit me homologun ukrainas.

Aktualisht, Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, përfshirë gadishullin e Krimesë në Detin e Zi, i aneksuar në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.

Zelensky shtoi gjithashtu se nëse Kina do të donte, mund ta detyronte Rusinë ta përfundonte luftën në Ukrainë. “Pa Kinën, Rusia e Putinit është asgjë. Megjithatë, Kina shumë shpesh hesht dhe qëndron mënjanë në vend që të veprojë për paqe,” theksoi lideri ukrainas.