Vetëm dy lojtarë janë nderuar me trofeun tepër të rrallë “Ballon d’Or d’Honneur”.
Të hënën në mbrëmje, të gjithë sytë do të jenë të drejtuar nga “Théâtre du Châtelet në Paris”, ku do të shpallet fituesi i Topit të Artë 2025.
Pas një sezoni mahnitës me Paris Saint Germain, anësori Ousmane Dembélé shihet si favorit për ta ngritur trofeun prestigjioz.
Ndërkohë, emra si Lamine Yamal, Mohamed Salah dhe Raphinha po ashtu përmenden si kandidatë seriozë.
Aktualisht, legjenda argjentinase Lionel Messi prin bindshëm, me plot tetë Topa të Artë, i ndjekur nga Cristiano Ronaldo me pesë.
Megjithatë, pavarësisht se janë dy nga lojtarët më të mëdhenj në histori, as Messi e as Ronaldo nuk kanë fituar ndonjëherë trofeun e rrallë “Ballon d’Or d’Honneur”.
Në vitin 1995, legjenda e Argjentinës dhe Napolit, Diego Maradona, u nderua me këtë çmim për të përshëndetur karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Në vitin 2013, për herë të dytë u nda ky trofe, tashmë me emrin “Ballon d’Or Prix d’Honneur”, dhe iu dorëzua ikonës braziliane Pelé.
Ashtu si Maradona, edhe ai u nderua në formë homazhi për karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Në atë kohë, një Pelé i emocionuar u shpreh:
“U premtova familjes që nuk do të qaj, por jam i mbushur me emocione. Së pari, duhet t’i falënderoj Zotit që më dha shëndetin të luaj kaq shumë vite. Sigurisht, nuk kam luajtur vetëm. Kur flasim për miqtë e mi, njerëzit kujtojnë lojtarët, por nuk duhet të harrojmë as atë që pastronte këpucët, masazherin – pata shumë njerëz të mirë pranë vetes. Ky trofe u përket edhe atyre”.
Ai shtoi: “Kam fituar shumë trofe dhe çmime, por gjithmonë ndihesha xheloz për ata që merrnin Topin e Artë, të cilin nuk munda ta fitoj pasi nuk luajta në Evropë. Tani i falënderoj Zotit që mund të plotësoj koleksionin tim të trofeve në shtëpi”