“Vendi i Ballkanit perëndimor është në BE”, Ursula Von der Lejen: Evropa është në luftë për të ardhmen e saj
E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, përsëriti në fjalimin e saj vjetor Ursula von der Lejen.
“Një Union më i madh dhe më i fortë është garanci sigurie për të gjithë ne. Dhe për këtë arsye – për Ukrainën, për Moldavinë, për Ballkanin Perëndimor – e ardhmja e tyre është në Unionin tonë. Të realizojmë fazën tjetër të ribashkimit të Evropës”, tha Ursula Von Der Lejen, presidente e Komisionit Evropian.
Gjendja e Bashkimit Evropian në kontekstin e basteve të mëdha gjeopolitike – kjo ishte tema kryesore e fjalimit të presidentes së Komisionit Evropian.
“Dhe nuk ka asnjë dyshim: pjesa lindore e Evropës e mban sigurinë e tërë Evropës. Nga Deti Baltik deri te Deti i Zi. Prandaj duhet të investojmë në mbështetjen e saj përmes mbrojtjes nga krahina lindore. Kjo do të thotë t’i japim Evropës kapacitete strategjike të pavarura. Duhet të investojmë në mbikëqyrjen e hapësirës në kohë reale, që të mos mbetet i pavërejtur asnjë lëvizje e forcave. Duhet t’i dëgjojmë thirrjet e miqve tanë baltikë dhe të ndërtojmë një mur prej dronësh. Kjo nuk është ambicie abstrakte. Ky është themeli i një mbrojtjeje të besueshme”, u shpreh Ursula Von Der Lejen, presidente e Komisionit Evropian.
Ursula von der Lejen tani është kritikuar më shumë se kurrë, kryesisht për shkak të marrëveshjes tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën Evropa nuk është krenare. Para deputetëve evropianë, ajo shtoi se Evropa duhet të fitojë pavarësi në rendin e ri botëror. Evropa është në luftë për vlera dhe demokraci, për liri dhe për mundësinë që vetë të vendosim për fatin tonë.
“Evropa duhet të luftojë për vendin e saj në një botë ku shumë fuqi të mëdha janë të armiqësuara ndaj Evropës. Për këtë arsye, duhet të ngrihet një Evropë e re”, pohoi Ursula Von Der Lejen, presidente e Komisionit Evropian.
Në fund të tetorit do të mbahet takimi formal i radhës i Këshillit Evropian, në të cilin do të vendosen “objektiva të qarta deri në vitin 2030”.