Në 24 orët e fundit, tre palestinezë të tjerë, përfshirë një fëmijë, vdiqën nga uria që po përjetohet në Rripin e Gazës për shkak të sulmeve dhe bllokadës izraelite, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza u ndanë informacionet e fundit mbi ata që kanë vdekur nga uria. Në deklaratë thuhet se 3 palestinezë të tjerë, përfshirë një fëmijë kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit.
Numri i personave që kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 428, prej të cilëve 146 janë fëmijë.
Që nga 22 gushti kur Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) i mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB) shpalli zi buke në qytetin e Gazës thuhet se nga uria dhe kequshqyerja kanë humbur jetën 150 persona, prej të cilëve 31 janë fëmijë.
IPC shpalli “situatën e urisë” në qytetin e Gazës dhe njoftoi se kjo mund të përhapet edhe në qytetet Deir Al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit.
– Gaza po vdes nga uria
Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe një rrethimi të rreptë që kufizon hyrjen e ndihmës humanitare, po përjeton katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe materialesh higjienike.
Vdekjet nga uria, veçanërisht midis fëmijëve, po rriten në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare thonë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.
Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke shkatërruar edhe infrastrukturën civile, shpesh synon palestinezët e zhvendosur me urdhër dëbimi në zonat ku ata janë strehuar.
Raportohet se numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e deportimit izraelit në Gaza, e cila ka një popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, ka arritur në 2 milionë dhe shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.
Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët e zhvendosur përpiqen të mbijetojnë në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku furnizimet higjienike janë të pakta dhe sëmundjet infektive janë të përhapura.