Ushtria izraelite intensifikon sulmet ne qytetin e Gazës, dërgon mbi 180 dronë e robotë me eksplozive për të shkatërruar fortesën e fundit të Hamasit
Ushtria izraelite paralajmëroi të premten se do të godiste Qytetin e Gazës me “forcë të paparë” pasi gati gjysmë milioni banorë ikën nga enklava mes një operacioni në shkallë të gjerë për ta pushtuar atë, i denoncuar nga pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare.
Pas marrjes së garancive të reja për mbështetje “të palëkundur” amerikane, Izraeli njoftoi të martën nisjen e një operacioni tokësor dhe ajror në qendrën më të madhe urbane të enklavës bregdetare, në pjesën e saj veriore, për të zhdukur lëvizjen islamiste palestineze Hamas, inkursioni i së cilës në Izraelin jugor më 7 tetor 2023 shkaktoi luftën në Rripin e Gazës.
“Forcat izraelite do të vazhdojnë operacionet e tyre me forcë të paparë”, tha koloneli Avichai Andrai, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, duke urdhëruar popullsinë të largohet nga qyteti.
Që nga muaji i kaluar, ushtria ka vendosur më shumë se 180 robotë ose dronë të mbushur me eksplozivë për të shkatërruar pjesë të qytetit. Zonat e Tel al-Hawa, Sheikh Radwan, Tufa, Jabal Nazla dhe Saftawi Road janë ndër zonat kryesore ku Izraeli ka shkatërruar ndërtesa banimi. Në këto zona, sipas zyrtarëve izraelitë, janë shkatërruar më shumë se 200 shtëpi.
Përveç kësaj, për të përfituar nga rezultati i operacionit, ushtria izraelite po vendos gjithashtu njësi të blinduara në Qytetin e Gazës, i cili tashmë është shkatërruar kryesisht.
Por banorët përshkruajnë një situatë kaotike. “Nuk kemi ku të shkojmë”, tha për AFP-në Umm Mohammed al-Khattab, një palestineze që jeton në kampin Sati në pjesën perëndimore të Qytetit të Gazës.
“Unë dhe shtatë fëmijët e mi ende jetojmë në tenda në pjesën perëndimore të qytetit pasi pushtimi (Izraeli) bombardoi shtëpinë tonë”, shtoi ajo.
OKB vlerësoi në fund të gushtit se numri i banorëve të qytetit dhe rrethinave të tij ishte rreth një milion njerëz.
Sipas ushtrisë izraelite, 480,000 janë larguar që atëherë. Agjencia e mbrojtjes civile tha gjithashtu dje se një numër pak më i vogël, 450,000 banorë, kishin ikur.