Urimi i Osmanit për Ditën e Boshnjakëve: Do të themelojmë Departament për gjuhën dhe kulturën boshnjake në Çair

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka dërguar urime të veçanta për komunitetin boshnjak dhe ka shpallur zotime konkrete për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës boshnjake në Çair.

“Të nderuar vëllezër dhe motra boshnjakë, i gjithë komuniteti në Çair, gëzuar Ditën e Boshnjakëve!
Sot dua ta them qartë: në Çair do ta ruajmë gjuhën boshnjake dhe kulturën tuaj si pjesë të pasurisë sonë të përbashkët. Për këtë arsye, marr një zotim konkret – pas 19 tetorit, do të formojmë Departamentin për Gjuhën dhe Kulturën Boshnjake, i cili do të sigurojë përdorimin e barabartë të gjuhës dhe do të mbështesë iniciativat tuaja kulturore”.

Osmani theksoi se boshnjakët janë pjesë e pandashme e Çairit dhe se kontributi i tyre ndër vite ka qenë i rëndësishëm për pasurimin kulturor dhe shoqëror të komunës. Ai tha se vizioni i tij për Çairin nuk është thjesht administrativ, por edhe kulturor dhe zhvillimor.

“Boshnjakët janë vendas të Çairit dhe kontributi juaj e bën komunën tonë më të bukur dhe më të pasur. Por të gjithë ne ndajmë të njëjtat probleme: mungesën e pastërtisë, hapësirave të gjelbra, trafikun e rënduar dhe nevojën për kushte më të mira jetese. Për këtë arsye, kemi nevojë për ndryshim dhe për një vizion të ri zhvillimi, ku secili do të jetë i barabartë dhe i respektuar”.

Ai paralajmëroi se me programin e tij për zhvillimin e Çairit, prioritet do të jetë përmirësimi i kushteve elementare të jetës, urbanizimi, pastërtia dhe investimet në infrastrukturë, por edhe respektimi i barabartë i të gjitha komuniteteve.

“Bashkëjetesa është shtylla e qytetit tonë dhe unë do ta mbroj me të gjitha mjetet. Së bashku, mund ta shndërrojmë pasurinë tonë kulturore dhe historike në forcë për të ardhmen. Më 19 tetor kemi mundësinë ta nisim këtë rrugë – së bashku!”

Osmani përfundoi fjalën e tij me urime për festën dhe apel për bashkim rreth vizionit për një Çair më të zhvilluar, më të pastër dhe më gjithëpërfshirës.

“Ju faleminderit dhe edhe njëherë, gëzuar festa!”

Ky zotim i Bujar Osmanit për të formuar një Departament të veçantë për Gjuhën dhe Kulturën Boshnjake shihet si hap konkret për fuqizimin e multikulturalizmit dhe përfaqësimit të drejtë në Çair.