Uniformat policore në gjuhën maqedonase – Arbër Ademi i ashpër ndaj Qeverisë: BDI ua la shqipen, së paku ta ruajnë
Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së ka dalë me kritika deri te qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe VLEN për sa i takon uniformave policore në Maqedoninë e Veriut.
Meqë dje u pa se uniformat do të jenë vetëm në maqedonisht, kjo nga fotografia e shpërndarë nga vetë MPB-ja, Ademi thotë se kjo Qeveri aktuale po tenton të imponon njëgjuhësinë në mënyrë joligjore.
Ai kërkoi që kjo qeveri ta ruajë gjuhën shqipe.
“Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe është i qartë, jo vetëm në distinktive (bexhe) të policisë, por flet për dygjuhësi në uniforma, në çdo germë e në çdo shkronjë të uniformave të policisë. Kjo qeveri në mënyrë diskriminuese, në mënyrë joligjore imponon njëgjuhësi. BDI u ka lënë ligj për shqipen, akte nënligjore, infrastrukturë të qartë juridike, e di që skanë takat për me bë më tepër, por të paktën ta ruajnë atë që është arritur”, tha Ademi në një prononcim për TV21.