Trump reagon për herë të parë pas incidentit me dronë rusë në Poloni

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka reaguar për herë të parë pas incidentit të ndodhur në hapësirën ajrore të Polonisë, ku disa dronë luftarakë rusë depërtuan në orët e para të mëngjesit.

“Çfarë po ndodh me Rusinë që shkel hapësirën ajrore të Polonisë me dronë? Ja ku jemi!”

Presidenti amerikan nuk dha komente të mëtejshme lidhur me situatën, ndërsa reagimet ndërkombëtare vijojnë të shtohen.

Incidenti ka shkaktuar shqetësim të madh në mesin e vendeve aleate të NATO-s, veçanërisht për shkak të pozicionit strategjik të Polonisë në kufi me Ukrainën.

Kryeministri polak, Donald Tusk, e cilësoi këtë si “provokimin më të rrezikshëm deri më tani”, duke theksuar se tensionet me Rusinë kanë hyrë në një fazë të re.

Nga ana tjetër, zyrtarët rusë kanë mohuar çdo përfshirje në incident, duke thënë se autoritetet polake “nuk kanë ofruar asnjë provë konkrete që të vërtetojë origjinën ruse të dronëve”.

Ngjarja vjen në një moment delikat për sigurinë europiane, teksa lufta në Ukrainë vazhdon dhe retorika mes Perëndimit dhe Rusisë mbetet e tensionuar.