Tre persona nën hetim në Shkup për shantazh dhe zhvatje mbi 27 mijë euro

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër tre të dyshuarve për veprën penale – shantazh, sipas nenit 258 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve, në periudhën 16–18 shtator, i dyshuari i parë, me qëllim që të përfitojë pasuri në mënyrë të kundërligjshme, përdori kërcënim serioz dhe e detyroi një person t’i paguajë 60.000 denarë. Ai iu prezantua viktimës si pjesëtar i një grupi kriminal dhe i kërkoi 1.000 euro për “ta mbrojtur” nga persona të tjerë që më herët i kishin kërkuar para. Njëkohësisht, i kërcënoi të mos paraqitej në polici, sepse do ta vriste dhe do t’ia digjte shtëpinë.

Viktima ditën e parë i dha 30.000 denarë, aq sa mundi të tërhiqte nga bankomati, por më pas rastin e denoncoi në polici. Dy ditë më vonë, kur ishte planifikuar dorëzimi i pjesës tjetër të parave, bankënotat ishin më parë të përpunuara kriminalistikisht. Menjëherë pas dorëzimit, i dyshuari u arrestua në vendngjarje, ku iu gjetën edhe paratë.

Hetimi përfshin edhe dy persona të tjerë, për të cilët, sipas provave të siguruara deri tani, prokuroria ka dyshime të bazuara se gjatë muajve gusht dhe shtator kanë shantazhuar të njëjtin person disa herë. Ata e bindnin se paratë ishin të destinuara për persona të tjerë me qëllim që të mos i shkaktonin dëm atij dhe familjes së tij. Në këtë mënyrë, dyshohet se e kanë detyruar t’u paguajë gjithsej 27.000 euro.

Prokurori publik i paraqiti gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup një propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të parin e dyshuar, i cili u kap në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale, ndërsa për dy të tjerët kërkoi masa kujdesi – paraqitje të detyrueshme në gjykatë dhe ndalim të afrimit te viktima dhe familja e tij.