Thatësira në Irak zbulon varre më shumë se 2000-vjeçare

Arkeologët kanë zbuluar 40 varre të lashta në Irakun e goditur nga thatësira, pasi niveli i ujit në rezervuarin më të madh të vendit ka rënë.

Varret, që besohet të jenë më shumë se 2300-vjeçare, u zbuluan në brigjet e rezervuarit të Digës së Mosulit në rajonin Khanka të provincës Duhok në veri të vendit, raporton Al Jazeera.

“Deri më tani kemi zbuluar afërsisht 40 varre”, tha Bekas Brefkani, drejtor i Institutit të Antikiteteve në Duhok dhe udhëheqës i punës arkeologjike në vend.

Ekipi i tij eksploroi zonën në vitin 2023, por dalloi vetëm pjesë të disa varreve.

“Vetëm këtë vit, kur nivelet e ujit arritën pikat e tyre më të ulëta, ne ishim në gjendje të hynim në vend dhe të fillonim gërmime serioze”, tha Brefkani.

Iraku është prekur nga thatësira të mëdha për pesë vjet me radhë, por falë kësaj, arkeologët arritën të dallonin mbetjet e varreve që janë mijëra vjeçare.

“Thatësirat kanë një ndikim të rëndësishëm në shumë aspekte, siç janë bujqësia dhe energjia elektrike. Por ato na lejojnë ne arkeologëve të kryejmë gërmime “, tha Brefcani.