Televizioni shtetëror iranian censuroi gjunjët e zbuluar të ministreve të Jashtme të Finlandës dhe Suedisë në raportimin për Asamblenë e OKB-së

Televizioni shtetëror iranian ka censuruar gjunjët e zbuluar të ministres së Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, dhe të ministres së Jashtme të Suedisë, Maria Malmer Stenergard, gjatë raportimit për takimet diplomatike në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Aktivistja dhe gazetarja iraniane, Masih Alinejad, ndau videon në rrjetin social X, duke e përshkruar censurën si një simptomë të kufizimeve më të gjera ndaj lirive të grave në Iran. Dy ministrat zhvilluan takime bilaterale me homologun e tyre iranian, Abbas Araghchi.

“Unë nuk e përshtas veshjen time bazuar në atë me kë po takohem. Kam një politikë që të mos marr pjesë në ngjarje ku fytyra apo flokët duhet të jenë të mbuluara”, tha Valtonen.

Në një intervistë për “Helsingin Sanomat”, mediat e para që raportuan për incidentin, Valtonen e quajti raportimin e televizionit iranian “të trishtueshëm”, duke thënë se ai pasqyron statusin e grave në Iran.

Mediet shtetërore iraniane shpesh ndryshojnë pamjet ndërkombëtare ku shfaqen gra, duke i përshtatur sipas kodit të veshjes së vendit. Mjegullimi i imazhit është pjesë e praktikës standarde, sidomos kur shfaqen gra që nuk i përmbahen kodeve islamike të veshjes lokale.

Ministria e Jashtme e Finlandës nuk ka lëshuar një deklaratë zyrtare lidhur me incidentin. Takimi mes Valtonen dhe Araghchi u zhvillua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Temat e diskutimit thuhet se përfshinin stabilitetin rajonal, të drejtat e njeriut dhe rolin e grave në diplomaci.