Të paktën 46 të vdekur nga sulmet izraelite në Jemen

Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite kundër rebelëve Houthi në Jemen është rritur në 46, ndërsa të plagosurit janë 165, sipas një deklarate të përditësuar të zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë së Houthi-t, Anees Alasbahi.

Ai tha se bilanci është ende paraprak dhe mund të ndryshojë në orët në vijim.

Sulmet e kësaj jave pasuan një operacion të paprecedentë nga Izraeli para dy javësh, gjatë të cilit u vranë 12 udhëheqës të lartë të rebelëve Houthi. Mëngjesin e së mërkurës, Izraeli deklaroi se kishte goditur “objektiva ushtarake” në kryeqytetin jemenas Sanaa dhe në provincën veriore të Jawf, raporton Reuters.

Zyrtarët izraelitë nuk dhanë detaje të hollësishme për objektivat specifikë, por theksuan se veprimet ishin pjesë e një fushate të zgjeruar kundër kërcënimeve që vijnë nga grupet e mbështetura nga Irani në rajon, përfshirë Houthi-t.

Ky zhvillim shënon një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërkohë që tensionet midis Izraelit dhe aleatëve të Iranit në Jemen, Liban dhe Siri po thellohen dita-ditës.