Taravari nga Gostivari: Me mobilizim të madh, t’i tregojmë Mickoskit se kush e përfaqëson zërin e shqiptarëve

Forumi Rinor i Aleancës Kombëtare për Integrim ka hapur sonte në Gostivar shtabin zgjedhor për zgjedhjet lokale, në një atmosferë entuziaste e mobilizuese.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe njëri nga liderët e koalicionit dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili bëri thirrje për organizim masiv në këto zgjedhje, duke kundërshtuar thirrjet për bojkot që, sipas tij, vijnë nga VMRO-DPMNE përmes “vazalëve shqiptarë”.

“Duhet maksimalisht të mobilizohemi si asnjëherë më parë: të dalim, të votojmë dhe t’ia dërgojmë porosinë kryeministrit se shqiptarët mendojnë kështu me votë – urdhëro kryeministër”, deklaroi Taravari.

Ai u shpreh se përmes pjesëmarrjes aktive në zgjedhje, shqiptarët duhet t’i tregojnë kryeministrit aktual, Hristian Mickoski, se kush janë përfaqësuesit e vërtetë të tyre, duke i dhënë fund spekulimeve për mungesë të mbështetjes shqiptare dhe duke dëshmuar nevojën për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“E kam thënë dhe sonte po e përsëris: 6-7 komuna do të fitohen që në rrethin e parë. Ato janë Likova, Saraji, Tearca, Bogovina, Vrapçishti, Gostivari dhe Dibra. Në shumicën e këtyre komunave ka vetëm dy garues, prandaj nuk ka rund të dytë. VMRO, përmes VLEN, përhap mesazhe që të mos dilet në votime – por ky është mashtrim,” tha Taravari.

Ai përmendi shembuj konkretë, duke theksuar se nuk duhet rënë pre e propagandës që synon uljen e daljes në zgjedhje.

“Mos dëgjoni kur ju thonë se Erkani në Likovë i ka fituar, apo se në Vrapçisht nuk ja dinë as emrin kundërkandidatit. Përkundrazi, dalim dhe votojmë si kurrë më parë,” përfundoi Taravari, duke theksuar se vota është mjeti më i fuqishëm që shqiptarët kanë për të treguar drejtimin që duan.