Skandal në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari: I punësuari mbi 5 vite nuk ka shkuar në punë dhe ka marrë pagë normale

SPB Kumanovë ka paraqitur kallëzim penal kundër R.E. (51) nga fshati Sllupçan, komuna e Likovës, Z.A. (59) nga Shkupi, N.B. (61) nga Manastiri, A.B. (59) nga Shkupi dhe S.K. (58) nga Shtipi, për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale “keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar”.

Më 30.05.2024 është kryer kontroll në zyrat e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari – Njësia Rajonale Kumanovë. Nga verifikimi i listave të prezencës është konstatuar se i denoncuari i parë, i punësuar si referent i ri–arkivar në Njësinë Rajonale Kumanovë, gjatë periudhës 01.12.2018 deri më 30.04.2024 nuk ka shkuar fare në punë, por ka marrë rregullisht pagë dhe kontribute nga buxheti.

I denoncuari i dytë, Z.A., ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë deri më 14.12.2020, ka lejuar me vetëdije që i denoncuari i parë të merrte pagë dhe kontribute pa i kryer detyrat e punës. I denoncuari i tretë, N.B., drejtor i Agjencisë nga 15.12.2020 deri më 03.07.2024, ka vazhduar pagesën e rrogës për R.E., i cili nuk ishte paraqitur në punë gjatë gjithë angazhimit të tij.

I denoncuari i katërt, A.B., shef i sektorit për çështje financiare, në periudhën dhjetor 2018 – prill 2024, pa bërë kontrollin e nevojshëm, ka nënshkruar raportet financiare dhe ka miratuar pagesën e pagës dhe kontributeve për të parin, edhe pse ai nuk figuronte në listat e prezencës.

I denoncuari i pestë, S.K., i punësuar si shef sektori në Agjenci, gjatë të njëjtës periudhë nuk ka ndërmarrë masa për të ndaluar gjendjen e paligjshme lidhur me të parin.

Me këto veprime, të parit i janë paguar padrejtësisht 1.159.081 denarë, ndërsa buxheti i shtetit është dëmtuar me 1.682.759 denarë.