SHQIPTARËT NË METAFIZIKËN E SHTREMBËRUAR TË MICKOVSKIT!

Roli i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është rastësi historike, por rezultat i
një përvoje të gjatë rezistence dhe kontributi në të gjitha fazat shtetërore. Që nga
ruajtja e gjuhës dhe arsimit, deri te pjesëmarrja vendimtare në proceset
demokratike e integruese, shqiptarët kanë dëshmuar se janë një faktor i
pazëvendësueshëm. Duke u përpjekur të rrënohet struktura e tyre politike, nuk
goditet vetëm një organizim partiak, por minohet ura e besimit mbi të cilën mund të
ndërtohet e ardhmja e përbashkët. .

Nga Prof. dr. Skënder ASANI
Shoqëritë shumëetnike, si ajo e Maqedonisë së Veriut, kanë dëshmuar ndër shekuj se
stabiliteti nuk është një dhuratë, por një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar ura
besimi mes komuniteteve. Pa dashur të involvohem në fushatën parazgjedhore, ky tekst ka
një qëllim jo politik: të evidentojë një fenomen që prek bashkëjetesën dhe stabilitetin e
shtetit. Pozita e shqiptarëve, të cilët përbëjnë një faktor politik dhe shoqëror vendimtar,
shpesh është kushtëzuar nga valë të ndryshme të retorikës politike herë integruese, herë
përjashtuese. Deklarata e fundit e kryeministrit Mickovski për të shkatërruar subjektin
politik shqiptar nuk është thjesht shprehje e një momenti politik, por simptomë e një krize
më të thellë në kulturën e bashkëjetesës. Në thelb, ky qëndrim nuk sfidon vetëm një
strukturë politike, por synon të delegjitimojë një subjekt historik të përfaqësimit të
komunitetit shqiptar, duke rrezikuar kështu ekuilibrin mbi të cilin ngrihet vetë shteti.
Shoqëritë që nuk kultivojnë respektin e ndërsjellë, në fakt shembin themelet mbi të cilat
ngrihet liria. Respekti nuk është një luks moral, por një rend i brendshëm që e bën
bashkëjetesën të mundur. Kur ky dimension shpërfillet, krijohet një kontradiktë tragjike:
mikut që ofron dorën i kthehet shpinë, ndërsa armiku që mban kamxhikun ngrihet në
piedestal. Ky është një iluzion pushteti që ushqehet me frikë, një metafizikë e shtrembëruar
e politikës, ku njeriu mësohet të admirojë dhunën dhe të përçmojë mirësinë. Në këtë
rrjedhë, mungesa e respektit shndërrohet në një logjikë vetëshkatërruese, ku qytetari
humb dimensionin e lirisë dhe kthehet vetëm në një figurë të frikës: të pranuar nga tirania,
por të mohuar nga vetvetja.
Deklarata e Mickovskit për të shkatërruar subjektin politik shqiptar duhet parë jo vetëm si
një provokim i radhës, por si një përpjekje për të ringjallur fantazmat e së kaluarës, kur
përjashtimi ishte mjet sundimi. Kjo qasje jo vetëm që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes
së Ohrit e menduar si arkitekturë e re e bashkëjetesës por edhe rrezikon stabilitetin e

brendshëm të shtetit. Historia ka treguar se kur pushteti përpiqet të delegjitimojë zërin e
një komuniteti etnik, ai nuk forcon unitetin, por e brishtëson atë, duke hapur rrugë
ndarjeve, krizave dhe mosbesimit.
Në këtë kontekst, gjuha nacionaliste e përdorur nga Mickovski, e cila synon shkatërrimin e
një subjekti politik të dalë nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit, nuk mund të kalojë pa
gjykim. Ajo duhet të vlerësohet jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga e gjithë
shoqëria, sepse çdo heshtje ndaj kësaj retorike do të kishte pasoja të rënda për orientimin
strategjik të shtetit. Nëse lejohet që kjo gjuhë të normalizohet, atëherë Maqedonia e Veriut
jo vetëm që rrezikon të humbasë ekuilibrat e brendshëm të bashkëjetesës, por edhe
besueshmërinë përballë partnerëve euroatlantikë, duke vënë në pikëpyetje vetë rrugën e
integrimit.
Në këtë dritë, respekti ndaj subjektit politik shqiptar nuk është vetëm një detyrim
demokratik, por një garanci për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Të shkatërrosh
përfaqësimin e një komuniteti etnik do të thotë të rrënosh mekanizmat e ekuilibrit, dhe aty
ku mungon ekuilibri nuk ka as stabilitet, as paqe, por vetëm ringjallje të hijeve të
përjashtimit.
Nëse kthehemi në retrospektivë, kjo retorikë e Mickovskit kujton gjuhën e liderëve
nacionalistë të viteve ’90, të cilët me slogane për “mbrojtjen e shtetit” i çuan vendet e tyre
drejt luftërave civile dhe shpërbërjes. Në Bosnje, mohimi i të drejtave të boshnjakëve dhe
kroatëve solli konfliktin më të përgjakshëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Në
Kroaci dhe Serbi, nacionalizmi agresiv i shndërroi komunitetet në armiq dhe i ndau për
dekada të tëra. Historia ka dëshmuar se ata që kanë synuar të qeverisin përmes frikës dhe
gjuhës së shkatërrimit, përfundimisht kanë rënë viktima të politikës së tyre. Në këtë
prizëm, deklarata e kryeministrit Mickovski nuk është vetëm e gabuar, por edhe e
rrezikshme: ajo ringjall një logjikë të konsumuar, të cilën bota dhe vetë rajoni e kanë
dënuar e lënë pas.
Roli i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është rastësi historike, por rezultat i një
përvoje të gjatë rezistence dhe kontributi në të gjitha fazat shtetërore. Që nga ruajtja e
gjuhës dhe arsimit, deri te pjesëmarrja vendimtare në proceset demokratike e integruese,
shqiptarët kanë dëshmuar se janë një faktor i pazëvendësueshëm. Duke u përpjekur të
rrënohet struktura e tyre politike, nuk goditet vetëm një organizim partiak, por minohet
ura e besimit mbi të cilën mund të ndërtohet e ardhmja e përbashkët. Çdo tentim për ta
margjinalizuar këtë dimension është rrezik që shtetin e kthen prapa, duke e ekspozuar ndaj
krizave të reja politike e sociale.
Prandaj, respekti ndaj subjektit politik shqiptar nuk është thjesht një detyrim formal i
demokracisë, por një kusht themelor për paqe dhe stabilitet. Një Maqedoni e Veriut që
guxon të injorojë ose të shtypë zërin e shqiptarëve, nuk i bën dëm vetëm këtij komuniteti,

por shkatërron themelet e veta. Historia na mëson se aty ku mungon barazia dhe respekti,
lindin kriza që askush nuk mund t’i kontrollojë. Sot, më shumë se kurrë, është koha për të
kuptuar: pa shqiptarët nuk ka stabilitet, pa partneritet nuk ka të ardhme dhe pa respekt
nuk ka integrim. Ky është mesazhi që duhet ta dëgjojnë të gjithë brenda dhe jashtë vendit
nëse duan që Maqedonia e Veriut të ecë përpara si shtet i barazisë dhe i paqes së
qëndrueshme.
Shkup, 22 shtator 2025