Është rritur në 63.557 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, janë ndarë të dhënat e fundit në lidhje me viktimat dhe të plagosurit në sulmet që Izraeli vazhdon në Rripin e Gazës.
Në 24 orët e fundit në spitalet në Gaza janë sjellë 98 palestinezë të vrarë dhe 404 të tjerë të plagosur. Të paktën 11.426 palestinezë janë vrarë dhe 48.619 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka kryer që nga 18 marsi e deri më tani, duke shkelur armëpushimin e arritur më 19 janar.
Të paktën 46 palestinezë u vranë dhe 239 të tjerë u plagosën në 24 orët e fundit, në sulmet ku u shënjestruan ata që po prisnin për ndihmë humanitare.
Është rritur në 2.294 numri i personave të vrarë dhe në 16.839 i të plagosurve që nga 27 maji në sulmet sistematike që shënjestrojnë palestinezët në të ashtuquajturat pika shpërndarjeje të ndihmave në Gaza, të drejtuara nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Ndërkohë 9 persona, përfshirë 3 fëmijë kanë vdekur në spitalet e Gazës në 24 orët e fundit për shkak të kequshqyerjes dhe urisë ndërsa numri i personave që kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 348, prej të cilëve 127 janë fëmijë.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 63.557 ndërsa numri i të plagosurve në 160.660.