Rrahja e mbrëmshme në Tetovë ku i rrahuri tha se kanë qenë të fortët e Bilall Kasamit dhe është rrahur në prani të policisë, ka reaguar BDI dhe Bajram Rexhepi.
Sipas BDi-së dhe Bjaram Rexhepit askush, pavarësisht mbiemrit apo lidhjeve politike, nuk guxon të qëndrojë mbi ligjin
“Ngjarja e mbrëmshme në Tetovë, ku një qytetar u sulmua brutalisht në prezencë të policisë nga persona të lidhur ngushtë me pushtetin lokal dhe qendror, është një sinjal alarmi për gjithë qytetin. Dhuna në rrugë, prania e armëve dhe tentativat për ta “normalizuar” apo fshehur këtë realitet nuk mund të tolerohen dhe nuk duhet të heshten.
Askush, pavarësisht mbiemrit apo lidhjeve politike, nuk guxon të qëndrojë mbi ligjin. Qytetarët e Tetovës meritojnë siguri, qetësi dhe dinjitet, e jo frikë dhe dhunues të mbrojtur nga politika.
Policia dhe prokuroria duhet të veprojnë menjëherë dhe pa kompromis, me hetim të plotë e transparent, duke sjellë drejtësi të barabartë për të gjithë. Ndërsa pushteti lokal nuk mund të fshihet pas heshtjes, sepse heshtja në këto raste është bashkëpjesëmarrje në krim.
Por, në gjithë këtë zymtësi ka edhe një lajm të mirë! Episodeve të tilla po u vjen fundi. Koha e represionit dhe dhunës është tipike për njerëz dhe garnitura politike që i ka kapur frika, sepse po jetojnë ditët e tyre të fundit në institucionet e kapura.
Unë jam i vendosur dhe i bindur që Tetova do të kthehet në qytet të ligjit dhe dinjitetit. Dhuna nuk na përfaqëson dhe nuk do të ketë vend në qeverisjen tonë bashkë me qytetarët.