Rrahja e nxënësve në Tetovë/ BDI: Ky është një akt barbar, i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Fajtorët para drejtësisë

E dënojmë ashpër aktin e dhunës së paprecedent që ka ndodhur sot në qytetin e Tetovës, ku një grup më i madh personash, sipas deklaratave të viktimave të lënduara rëndë, ishin të nacionalitetit maqedonas dhe sulmuan disa të rinj shqiptarë adoleshentë.
Ky është një akt barbar, i rrezikshëm dhe i papranueshëm, që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për qetësinë në Tetovë dhe për marrëdhëniet ndëretnike në vend.
Kërkojmë me urgjencë nga organet e rendit dhe drejtësisë që brenda orëve të ardhshme të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët e këtij sulmi. Çdo vonesë është e barabartë me nxitje të dhunës dhe dëm të sigurisë publike.
U bëjmë thirrje të rinjve shqiptarë në Tetovë të mos bien pre e provokimeve dhe të mos bëhen pjesë e skenarëve të mundshme dhe të rrezikshëm që synojnë destabilizim dhe tension ndëretnik.
Njëkohësisht e themi qartë: heshtja institucionale dhe mosndëshkimi i autorëve vetëm sa i thellojnë dyshimet për këto skenare, dëshmojnë padrejtësinë dhe u japin krah dhunuesve.
Kjo është hera e dytë brenda kësaj jave që të rinjtë shqiptarë sulmohen, më parë në Manastir dhe tani në Tetovë. Ky është një sinjal alarmi për të gjithë: shteti duhet të reagojë menjëherë, sepse dhuna nuk do të tolerohet kurrë!