Rexhepi takohet me artistët e Tetovës: Premton rikthimin e festivaleve tradicionale dhe mbështetje për artistët
Në një takim të ngrohtë me komunitetin e artistëve dhe krijuesve të Tetovës, kandidati për kryetar komune, Bajram Rexhepi, shprehu shqetësimin për gjendjen aktuale të jetës kulturore në qytet, duke theksuar nevojën urgjente për një rilindje të vërtetë artistike dhe kulturore.
“Është gjithmonë kënaqësi të jesh mes krijuesve. Fatkeqësisht, gjatë këtyre katër viteve, qyteti ynë ka përjetuar një atrofim të dukshëm në aspektin kulturor dhe artistik,” tha Rexhepi.
Gjatë bashkëbisedimit, u trajtuan ide konkrete që do të përfshihen në programin zgjedhor të subjektit të tij për “Tetovën e Re”, ndër to:
Rikthimi i festivaleve tradicionale, që dikur mbushnin jetën kulturore të qytetit.
Formimi i një orkestre qyteti, si simbol i identitetit artistik tetovar.
Nxitja e aftësive krijuese të të rinjve dhe nxënësve, përmes mbështetjes së arteve nëpër shkolla dhe krijimit të hapësirave kulturore për ta.
“Besojmë se kultura nuk është vetëm zbukurim, por shtylla që mban gjallë shpirtin e qytetit. Tetova ka krijues të mrekullueshëm dhe është koha që ata të kenë hapësirën dhe mbështetjen që meritojnë,” shtoi Rexhepi.
Takimi përfundoi me një atmosferë pozitive dhe shpresëdhënëse për të ardhmen, ku shumë nga të pranishmit shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në projekte të përbashkëta kulturore./TS