Rëndohet bilanci i atentatit të ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në Shkodër ku pas Armando Palit, Geridon Kraja, i cili mbeti i plagosur ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë automatike.
Burime konfirmojnë se Kraja ishte truproja i Erogen Vasos, i njohur ndryshe si Erogen Brajoviç, pjesë e grupit të Bajrajve në Shkodër.
Pikërisht Erogen Vaso dyshohet se ishte shënjestra kryesore e atentatit, nga i cili ai vetë mbeti i plagosur rëndë.
Në sulm mbeti i vrarë edhe Armando Pali, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe aktualisht punonjës i IKMT-së. Po ashtu, është plagosur edhe një grua, e cila ndodhej në lokal në momentin e ngjarjes.
Atentati ndodhi në një lokal në zemër të qytetit, pranë bashkisë së Shkodrës. Sipas burimeve paraprake, autor i dyshuar i atentatit është Ragip Gilaj, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë automatike ndaj personave që ndodheshin në lokal.