Rast tragjik në Shtime: U rrokullis dhe e zuri traktori derisa po punonte, vdes një person

Një rast tragjik ka ndodhur në fshatin Carralevë, ku një person ka humbur jetën pas një aksidenti në pyll.

Sipas Policisë së Kosovës, viktima, një mashkull kosovar, ishte duke punuar me traktorin e tij në një zonë pyjore kur, për shkaqe ende të panjohura, mjeti ka humbur kontrollin dhe është rrokullisur. Traktori ka rënë mbi viktimën, duke i shkaktuar lëndime të rënda, që fatkeqësisht i morën jetën.

Në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë përkatëse të policisë dhe ekipet mjekësore, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Sipas vendimit të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), për të përcaktuar shkaqet e plota të ngjarjes.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.