Rama: Projektet tona po e transformojnë Prishtinën, por jemi bllokuar nga niveli qendror

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim me banorët e Lagjes së Muhaxhirëve, ku ka folur gjerësisht për projektet e realizuara dhe ato në zhvillim duke akuzuar nivelin qendror se po e pengon përparimin e kryeqytetit me bllokime të paligjshme.

Ai përmendi ndërhyrjet në hapësirat publike, si zgjerimi i sheshit drejt Katedrales, rruga “Rexhep Luci” e transformuar dhe projekti shumë më i madh i sheshit “Gjorgj Bush”, për të cilin tha se është dhjetëfish më i gjerë dhe më i rëndësishëm. “Nëse keni parë sheshin ‘Rexhep Luci’ sot, është një ndjesi tjetër. Jep energji pozitive dhe siguri. Ky është vetëm një fragment i mozaikut që po ndërtojmë për ta transformuar qytetin”, tha Rama.

Sipas tij, projektet e shesheve janë vetëm një pjesë e planit më të madh që lidhet me zgjidhjen e trafikut: unaza e brendshme dhe e jashtme të Prishtinës, ndërlidhja me rrugën “Xhim Xhema” që lidh lindjen dhe perëndimin e qytetit, si dhe ndërtimi i dhjetë shkollave të reja në periferi, prej të cilave tri tashmë janë përfunduar dhe shtatë janë në ndërtim. “Këto shkolla periferike ulin stresin e familjeve që nuk do të kenë më nevojë t’i sjellin fëmijët në qendër duke lehtësuar edhe trafikun”, shtoi ai.

Rama theksoi se përgatitjet për Lojërat Mesdhetare janë një moment historik për kryeqytetin dhe se për këtë arsye duhet të përfundojnë të gjitha unazat dhe projektet madhore. Niveli qendror nuk po më ndihmon duke thënë se janë premtime tua zgjedhore. “Këto nuk janë projekte të miat personale. Nuk i marr me vete. Janë për qytetin, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen tonë”, tha ai duke përmendur edhe master-planin e fshatit olimpik, i cili sipas tij krijon mundësi të reja për investitorë ndërkombëtarë.

Ai u ndal edhe te raporti i fundit i GAP, që sipas tij dëshmon se Komuna e Prishtinës ka realizuar 72% të premtimeve për katër vjet. “Në fakt, janë 119 projekte të realizuara. Ndërsa Shpend Ahmeti në tetë vjet kishte përfunduar 79 projekte. Pra, ekipi ynë i kryeqytetit ka bërë shumë më tepër në një mandat të vetëm”, tha Rama duke ironizuar se Vetëvendosjes do t’i duheshin edhe 16 vjet për ta arritur nivelin e tij.

Në fjalimin e tij, Rama foli edhe për sportin dhe infrastrukturën sportive duke theksuar ndërtimin e hapësirave të reja në lagje të ndryshme, përfshirë fushën e parë të futbollit për vajzat e KFV Prishtina, e cila u inaugurua së fundmi. Ai përmendi edhe projektin për gjetjen e një fushe për klubin “Besëlidhja”.

Në fund, kryetari falënderoi qytetarët për përkrahjen dhe i ftoi për një bashkëbisedim të hapur. “E di që kemi shumë punë, shumë sfida dhe shumë nevoja, por ne kemi ekip profesional, vizion të qartë dhe projekte konkrete që tashmë po japin rezultate. Përkundër pengesave, po ecim përpara”, përfundoi Rama.