Pas denoncimeve në Tetovë, ku qytetarët pretendojnë se Bilall Kasami po shtron asfalt me trashësi prej vetëm 5 cm në vend të 20 cm siç promovohet, në adresë të redaksisë së TS kanë nisur të vijnë edhe raportime nga komunat tjera për të njëjtin problem.
Sipas banorëve të fshatrave përreth, asfaltimi po bëhet në mënyrë sipërfaqësore dhe pa respektuar standardet minimale për infrastrukturë rrugore. “Trashësia në Pallaticë është vetëm 4-5 cm,” ka shkruar një banor përmes rrjeteve sociale në profilet e Bilall Kasamit.
Ndërsa një tjetër qytetar me ironi shkruan: “Më mirë 4-5 cm se hiç në kohën e BDI-së”
Nga ana tjetër ekspertët për TS theksojnë se trashësia minimale e asfaltit paraqet rrezik serioz për degradim të shpejtë të rrugës, sidomos gjatë muajve të dimrit, ku ngricat dhe reshjet mund të shkaktojnë dëmtime të mëdha në pak muaj.
Banorët që kanë kontaktuar TS bëjnë apel që investimet në rrugë të jenë cilësore, me trashësi të mjaftueshme dhe me kanalizime atmosferike, në mënyrë që të mos bëhen punime të përkohshme që shkatërrohen menjëherë.
Nga Komuna e Zhelinës deri më tani nuk ka të dhëna konkrete për trashësinë e asfaltit, megjithatë ata vazhdojnë të promovojnë punimet në rrugë nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.