Qefa demanton: Mbetem besnik i komandantit Ali Ahmeti dhe përkrahës i fuqishëm i Bajram Rexhepit

Reagim Publik

Nga Qefali Havzija
Unë nuk kam ndarë rrugë me komandantin tim z. Ali Ahmeti, dhe përkrahi mikun tim Bajram Rexhepi për kryetar komune, një mik që e njoh që moti për sinqeritetin dhe ndershmërinë e tij.
Dua të demantoj shkrimet dhe postimet e disa portaleve, ndaj të cilëve kam pasur dhe vazhdoj të kem një konsideratë të veçantë – si për mediat e shkruara, ashtu edhe për ato elektronike.
Kam besuar se këto media janë të paanshme, nuk censurojnë dhe se japin lajme të drejta, të sakta, të verifikuara dhe të konfirmuara. Por, fatkeqësisht, realiteti doli ndryshe.
Me këtë rast, dëshiroj t’u drejtohem me një lutje të sinqertë: secili prej nesh duhet ta ushtrojë detyrën në mënyrë profesionale, duke respektuar rregullat dhe ligjet e gazetarisë. Çdo lajm duhet të verifikohet para se të publikohet dhe jo të merret si burim një status apo mendim i lirë i postuar në rrjete sociale. Një veprim i tillë nuk është etik – as profesionalisht, as njerëzisht – për vetë median si institucion.
Deklaroj qartë dhe prerë se unë, Qefali Havzija, askund nuk kam përmendur dorëheqje apo emra të caktuar. Edhe pse ndoshta dikush dëshiron që kjo të jetë e vërtetë, këtë film nuk kanë për ta parë – sepse jam njëri nga ata që, si një prej themeluesve të këtij subjekti, i qëndroj besnik rrugës dhe vlerave me të cilat kemi nisur.
BDI është një parti me traditë në politikëbërje, dhe mendimi i lirë brenda saj është i lejuar e i mirëpritur. Por kjo liri nuk duhet të keqpërdoret për përfitime personale apo për të shtrembëruar të vërtetën.
Pavarësisht ndonjë qëndrimi ndryshe – gjë që është plotësisht normale në çdo subjekt politik – dua të ritheksoj se nuk kam ndarë dhe nuk ndaj rrugë me komandantin tim, me të cilin kemi kaluar bashkë shumë sfida dhe sakrifica.
Unë dhe shumë shokë të mi, që nga viti 2001, kemi ndarë një rrugë të përbashkët, të cilën nuk e ndërpres dot as sot.
Mosha, përvoja dhe morali familjar nuk më lejojnë të dal kundër atyre me të cilët kemi punuar dhe ndërtuar bashkë për 23 vite.
Është krejtësisht normale të ndahemi në tabore apo parti të ndryshme politike – secili me bindjet e veta. Por me shumicën prej tyre kemi qenë dhe mbetemi miq, shokë, bashkëpunëtorë të mëhershëm.
Ne, si malësorë, kemi tradita. Edhe hasmit ia hapim derën kur na troket dhe kërkon konak, sepse jemi njerëz nderi. Në vdekje mund të vijë kushdo – edhe pa ftesë. Por në dasma, në ahengje familjare, ftohen vetëm miqtë dhe shokët e vërtetë – ata me të cilët kemi ndarë jo vetëm gëzime, por edhe vuajtje, edhe bukë e kripë.
Në prag të zgjedhjeve, është krejtësisht e kuptueshme që çdo subjekt të lavdërojë kandidatin e vet, të prezantojë programin dhe vizionin që përfaqëson. Por kjo nuk duhet të shndërrohet në ofendime, sulme personale apo denigrim të të tjerëve.
Secili do të dalë para qytetarëve me idetë e veta, dhe në fund, është populli ai që do të vendosë për më të mirin.
Zgjedhjet zgjasin vetëm një muaj, por jetën e përbashkët e ndajmë çdo ditë edhe 11 muaj pas, gjatë gjithë vitit.
Pikërisht për këtë arsye, është e domosdoshme të ruajmë respektin, dinjitetin njerëzor dhe vlerat familjare mes nesh – pavarësisht bindjeve tona politike.
Kundërshtimi politik është i natyrshëm, por ai nuk duhet të kthehet në përçarje mes miqve, shokëve apo bashkëqytetarëve.
Asnjë mendim ndryshe nuk e justifikon kalimin në gjuhë urrejtjeje apo sulme personale.
Unë kam 23 vite në politikë. Le të dalë një subjekt apo aktivist që mund të thotë se unë e kam ofenduar publikisht. Nuk është në etikën time familjare të përdor fyerje, sharje apo ulje të tjerëve.
Edhe pse në drejtimin tim ka pasur shpesh fyerje të porositura nga lloj-lloj njerëzish – shumicën prej të cilëve i njoh mirë dhe ua njoh biografinë, të kaluarën dhe të tashmen – unë nuk do të bie në nivelin e tyre.
Nuk jam ndier i ofenduar, por kam ndier keqardhje për ata që janë përdorur si vegla për ofendime të porositura, si dhe për disa portale që – në kundërshtim me çdo normë profesionale dhe etike të gazetarisë – i kanë lejuar ato sulme të ulëta vetëm për disa klikime më shumë.
Ky është një veprim i turpshëm dhe i papranueshëm.
Sa për dijeni tuaj, këto akte nuk më zbrapsin dhe as më ligështojnë – përkundrazi, më forcojnë edhe më shumë për të vazhduar rrugën që kam trasuar me miq dhe shumë shokë, përgjatë më shumë se 23 viteve, krah për krah dhe me përkushtim të palëkundur.
Çdo njeri ka familje, dhe para se të ofendojë pa baza apo të drejtojë gishtin ndaj tjetrit, duhet të shikojë vetveten, të kujtojë familjen e vet dhe të mendojë se si do të ndjehej nëse vetë do të ishte në vendin e atij që po sulmohet padrejtësisht dhe pa asnjë fakt – vetëm për të marrë disa lavdata nga porositësit e dezinformatave dhe për të fituar disa klikime më shumë.
Një akt i tillë është i turpshëm dhe i pandershëm.
Përfundimisht, unë nuk kam rrugë për të ndarë. Rrugën time e kam ndarë që në vitin 2001 dhe i qëndroj besnik komandantit tim, bashkëpartiakëve, bashkëluftëtarëve dhe bashkëveprimtarëve të mi deri në përjetësi besnik.
I lus të gjithë ata portale që kanë publikuar informacione të pavërteta, të tregojnë profesionalizëm dhe t’i largojnë ato postime, sepse nuk i shërbejnë askujt – përveç politikave të ditës.
Në fund të fundit, çdo kush ka të drejtën të mbrojë të drejtën edhe në mënyra ligjore.
Me respekt,
Qefali Havzija