Punonjës të demotivuar, 34% në kërkim të një pune të re

Stresi i vazhdueshëm, mungesa e mbështetjes nga drejtuesit dhe ulja e mundësive për zhvillimin profesional janë disa prej shkaqeve që nxisin një pjesë të konsiderueshme të punonjësve në Maqedoni që të kërkojnë alternativa punësimi jashtë vendit ose në kompani të tjera. Raporti më i fundit nga Gallup-i “State of the Global Workplace 2025”, tregojnë se në botë vendi i punës nuk po shkon në drejtimin e duhur, ku në Maqedoni 34 për qind e punonjësve janë duke kërkuar në mënyrë aktive mundësi të reja profesionale, tregues ky i pakënaqësisë së lartë në tregun vendas të punës. Kjo renditje e pozicionon Maqedoninë (së bashku me Kosovën) në vendin e 13-të në Europë dhe Azinë Qendrore për këtë tregues, duke lënë pas vende si Suedia, Serbia, apo Kroacia. Po ashtu duhet të nënvizohet se Maqedonia renditet e fundit në Evropë sa i takon vlerësimit për jetën për momentin dhe perspektivat në 5 vitet e ardhshme.

Raporti i Gallup-it ofron atë që mund të jetë panorama e fundit e një fuqie punëtore në prag të ndryshimeve sizmike. Të dhënat tregojnë se punonjësit, veçanërisht menaxherët, ndihen të shkëputur, gjë që nuk është shenjë e mirë për përgatitjen e tyre për një të ardhme të formuar nga IA. Dhe në të njëjtën kohë, vetë mjetet që mund të rrisin angazhimin dhe performancën po mbërrijnë me shpejtësi të habitshme.

Drejtori ekzekutiv i Gallupi-it, Xhon Klifton vëren se bota gjendet në një moment ku angazhimi po lëkundet pikërisht në kohën kur inteligjenca artificiale po transformon çdo industri, ndërsa pak punonjës kanë shfrytëzuar potencialin e plotë të IA-së, përparimi i saj i shpejtë do ta detyrojë çdo organizatë të përshtatet, pavarësisht nëse janë gati apo jo. Që sipas Kliftonit paraqet një sfidë përcaktuese për udhëheqësit dhe menaxherët – do t’i shfrytëzojnë mundësitë e IA-së për të aktivizuar fuqinë e tyre punëtore, apo do të rrezikojnë të mbeten prapa?

“Si ta zotërojmë IA-në në mënyra që nxisin rritjen, pasi nëse keqpërdoret, IA mund të zvogëlojë angazhimin duke prerë lidhjet jetësore njerëzore – miqësitë në punë, ndjenjën e të qenit i dëgjuar dhe kujdesin e vërtetë nga kolegët – që i mbajnë ekipet të lulëzojnë”, vëren Kliftoni.

Raporti i Gallup thekson se dëshira për të ndryshuar punë lidhet ngushtë me nivelin e stresit, mirëqenien e ulët dhe mungesën e angazhimit në punë. Po ashtu pagat relativisht të ulëta, mungesa e kushteve të mira të punës, pasiguria në vendet e punës dhe emigracioni ekonomik janë ndër arsyet kryesore që i shtyjnë të kërkojnë alternativa të reja. Përveç faktorëve ekonomikë, raporti i Gallup nënvizon edhe rëndësinë e mjedisit të punës dhe mirëqenies psikologjike. Stresi i vazhdueshëm, mungesa e mbështetjes nga drejtuesit dhe ulja e mundësive për zhvillim profesional janë arsye shtesë që nxisin punonjësit të kërkojnë alternative jashtë vendit ose në kompani të tjera. Vitin e kaluar, angazhimi global i punonjësve ra, duke i kushtuar ekonomisë botërore 438 miliardë dollarë amerikanë në humbje të produktivitetit. Shkaku kryesor ishte një rënie në angazhimin e menaxherëve. Raporti vlerëson se nëse vendi i punës në botë do të ishte plotësisht i angazhuar, 9.6 trilionë dollarë amerikanë në produktivitet mund t’i shtoheshin ekonomisë globale, ekuivalenti i 9 për qind i PBB-së globale.