Publikohet foto e autorit që vrau dy persona e plagosi dy të tjerë në Shkodër

Publikohet foto e Ragip Gila, i cili vrau Armando Palin dhe Liridon Krajën si edhe plagosi Erogen Brajoviçin dhe kamarieren Meri Kaceri. Atentati ndodhi rreth orës 08:50 të 8 shtatorit në një lokal pranë bashkisë së Shkodrës.

Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe kur autori qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije për Report TV se shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç. Armando Pali ndërroi jetë në vendngjarje ndërsa truproja e Erogen Brajoviç, ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave.

Ragip Gila, 29 vjeç, i armatosur me 2 armë, një pistoletë dhe një scorpions, i veshur me antiplumb, shkoi pranë lokalit me një motoçikletë të zezë, të cilën e la jashtë të ndezur. Hyri në në këmbë dhe qëlloi në drejtim të tavolinës ku ndodheshin 3 personat, ndërsa në afërsi ishte edhe kamerierja. Pas breshërisë së plumbave doli nga aty përmes një dere të dytë në anën tjetër të lokalit.

Hyri në një rrugicë të Shkodrës duke braktisur motoçikletën dhe nën kërcënimin e armës grabiti një makinë tip “BMV”, ngjyrë gri. Gjatë rrugës në ikje, Gila u përplas me dy automjete, dhe pasi mbërriti pranë shinave të Trenit në lagjen “Skënderbeg”, braktisi makinën. Në këmbë tentoi të largohet duke kaluar lumin Kir, megjithatë tashmë ishte pikasur nga policia.

Report Tv mundi të sigurojë videon e momenteve të arrestimit. Forcat e Rendit dhe ato “Shqiponja” u vunë në ndjekje të 29-vjeçarit, duke kryer kontrolle të shumta pranë shinave të trenit, në disa oborre banesash në afërsi.