Portalb: Mijëra euro të Komunës së Çairit për lokalin e zvëvendësministres, Antikorrupsioni ende pa vendim
Edhe pse ka kaluar kohë nga hapja e rastit pas raportimit të Portalb.mk, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ende nuk ka marrë vendim për pagesat e Komunës së Çairit ndaj kafiterisë “1Sh”, që është në pronësi të zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Ndonëse nga KSHPK-ja në korrik njoftoi se kanë hapur lëndë për këtë rast, ende nuk ka vendim.
“Procedurat mbi rastin janë duke vazhduar. Pas përcaktimit të gjendjes faktike në rastin konkret, do të merret vendim në seancë publike të KSHPK-së”, thanë për Portalb.mk nga KSHPK.
Ata nuk treguan se kur pritet të merret vendimi.
Kujtojmë që Portalb.mk në qershor 2025 zbuloi se mijëra euro nga Komuna e Çairit i janë ndarë në mënyrë sistematike kafiterisë ‘1sh’ në pronësi të zëvendësministres së Transportit dhe ndër njerëzve më të afërm të Izet Mexhitit, Kaltrina Zekolli Shaqirit.
Mjetet janë ndarë pa shpallje publike dhe me marrëveshje sy-më-sy.
Afër 9 mijë euro i janë lëshuar kësaj kafiterie që kur Zekolli-Shaqiri është zëvendësministre, për më pak se 1 vit.
Fqinjët e intervistuar nga Portalb-i thanë se kafiteria më së shpeshti frekuentohet nga aktivistë të Lëvizjes Demokratike.
Komuna e Çairit s’i komentoi transaksionet e vjetra, thotë se në vitin 2025 aty janë ushqyer sportistët e Çairit kur kanë pasur gara, gjithashtu nuk përgjigjet se pse vetëm ky lokal ndër vite kryen këtë ‘shërbim’ për ata, pa ju dhënë mundësi bizneseve tjera.
Zëvendësministrja theksoi se është vetëm pronare dhe se nuk merret me pjesën e pagesave.
Për këtë rast më pas reaguan edhe partitë politike.