“Pinë alkool së bashku, pastaj e rrahën për vdekje”, Prokuroria kërkon paraburgim për dy persona në Shkup
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka hapur një procedurë hetimore ndaj dy personave, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale – lëndim i rëndë trupor, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 10 shtator, në orët e mbrëmjes, në parkun “Gruaja luftëtare” në Shkup, të dy të dyshuarit, të moshës 44 dhe 46 vjeç, qëllimisht e kanë lënduar rëndë një person, i cili më pas ka ndërruar jetë në spital.
“Të tre ishin takuar dhe kishin pirë alkool së bashku, pas çka kishte nisur një zënkë verbale. Përleshja verbale u shndërrua në konfrontim fizik, dhe të dy të dyshuarit e kanë goditur viktimën me grushte dhe shqelma në kokë dhe trup, duke i shkaktuar lëndime të shumta. Si pasojë e plagëve të marra, viktima ndërroi jetë dy ditë më vonë në spital”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shkupit.
Ndërkaq, për rasti në fjalë nga Ministria e Punëve të Brendshme raportuan më datë 11 shtator.
“Më 10.09.2025, në orën 21:30, në SPB Shkup është raportuar se në “Parkun e Gruas” në Shkup, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, është prishur rendi dhe qetësia publike përmes një përleshjeje fizike ndërmjet B.S. (44) nga fshati Bullaçani i Shkupit, Xh.B. (61) nga Shkupi dhe A.B. (46) nga fshati Bardovcë i Shkupit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Prokuroria ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Themelore Penale Shkup për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit.