Pas 2 ditëve ende nuk flet Adnan Azizi për “goditjen” nga Mickovski (VIDEO)

Kanë kaluar më shumë se 48 orë – dy ditë që nga momenti kur kryeministri Mickovski ka “goditur” ashpër shefin e shtabit të VLEN-it, Adnan Azizin. Në pyetjen e gazetarit të TS, se si e komenton patriotizmin e Adnan Azizit i cili në një tubim u shpreh se do ti ndalojë projektet sllave në Tetovë, kryeministri Mickovski nuk deshi t’ia thotë as emrin, por tha se “personi që përmendet nuk ka fuqi politike për të vendosur për proceset aktuale në vend”.

Kjo deklaratë e ashpër është konsideruar si një sulm i drejtpërdrejtë dhe ka tensionuar më tej marrëdhëniet mes VMRO-së dhe VLEN-it.

Pavarësisht kësaj deklarate të ashpër, nuk ka pasur asnjë reagim edhe pas 48 orëve nga Adnan Azizi, por sot ka reaguar kreu i BESËS dhe i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ai në vend që ti përgjigjet kryeministrit Mickovski, Kasami drejtoi akuza ndaj BDI-së duke thekësuar se BDI-ja po përgatitet të krijojë tensione ndëretnike.

Sipas portalit TS, tensionet mes VMRO-së dhe VLEN-it po përkeqësohen edhe për shkak të qëndrimeve kontradiktore të vetë përfaqësuesve të VLEN-it. Nga njëra anë, Adnan Azizi kritikon projektet “sllave” në Tetovë dhe shfaqet me shqiponjën dykrenare, ndërsa nga ana tjetër, Bilall Kasami kërkon votat maqedonase nga VMRO-ja në Tetovë.

Ndërkohë, kryeministri Mickoski, përmes portalit TS, ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, i cili nga mediat maqedonase është cilësuar si një sinjal i afrimit të qëndrimeve mes VMRO-së dhe BDI-së para zgjedhjeve lokale.

Ndryshe, në anketat e IRI-it, agjencive të tjera si Rejting, si dhe në sondazhet që qarkullojnë në zyrat e VMRO-së, thuhet se Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) pritet të marrë mbi 150 mijë vota, ndërsa VLEN vetëm 50 deri në 55 mijë. Një rezultat 3 me 1 që, sipas analistëve, mund të tronditë rëndë pozitat e VLEN-it pas 18 tetorit dhe të shpërbëhet komplet koalicioni siç ka deklaruar Arben Taravari./TS/