Osmani: Vajzat e urrejnë përcjelljen e mbrojtjes së afërt – më sulmoni mua ditë e natë por jo vajzat e mia
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar çështjen e djeshme rreth raportimeve se vajzat e saj mbrohen nga policët.
Ajo thotë se fëmijët e saj s’kanë faj qe ajo ka qëndrime politike, dhe se vajzat e saj e urrejnë përcjelljen, shkruan IndeksOnline.
Por, këtë gjë, Osmani thotë se është e detyruar ta bëjë, sidomos pas kërcënimeve me dhunim dhe me jetë të bëra nga serbët.
“Vajzat e mia e urrejnë atë përcjellje, s’kanë qenë kurrë pro asaj. Ua pengojnë qeshjen normale, rininë normale, dhe ua pengojnë procesin e mësimit si fëmijët e tjerë. Por atë nuk e kam përcaktuar unë, por rregullat dhe ligjet. Çdo 6 muaj policia e bën vlerësimin e rrezikshmërisë, çdo 6 muaj konkluzioni është i njëjtë, që rrezikshmëria e vajzave të mia është e lartë” u shpreh Osmani.
Ajo shtoi se nuk do të donte që asnjë prind të merrte kërcënime për veten dhe fëmijët.
“Nuk besoj që ka prind që do të dëshironte që për shkak të kërcënimeve t’i izolonte fëmijët nga loja dhe nga jeta. Shumë prej kërcënimeve vijnë nga serbët, po i përmend dy: ka ardhë një kërcënim serb, ku është postuar fotografia ime dhe e dy vajzave të mia, me mbishkrimin se vdekja do të vijë për ne… Ka kërcënime për ngrehje zhag, dëbim e dhunim të fëmijëve të mi” shtoi presidentja.
Ajo mohoi pretendimet se vajzat e saj kanë marrë mësim ndaras, duke deklaruar se ato kanë marrë mësim bashkë me të gjithë nxënësit e tjerë, në të njëjtën klasë dhe në të njëjtën kohë me bashkëmoshatarët.
Ajo thotë se kameramani i arrestuar dje nuk është bërë nga mbrojtja e afërt e fëmijëve të saj, duke deklaruar se incizimi i paautorizuar është i ndaluar me ligj./Periskopi/