Osmani: Shqiptarët nuk e shesin vullnetin e tyre për 1.000 denarë, këto zgjedhje janë referendum për vetëvendosje
Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, sonte dërgoi një mesazh të fuqishëm dhe emocional për qytetarët, duke i quajtur zgjedhjet lokale “referendum për kthimin e tapisë së shtëpisë së vet” dhe “luftë për dinjitet dhe vetërespekt.”
“Para së gjithash, për mua është vetëvendosje vendimi që unë do të vendos për fatin tim. Na e morën sovranitetin. Ne nuk vendosim më për të ardhmen e këtij shteti, sepse dikush tjetër vendos për ne,” tha Osmani para shumë mbështetësve.
Ai e krahasoi humbjen e kontrollit demokratik me humbjen e tapisë së shtëpisë së vet:
“U luftua që ta marrim atë tapi, të bëhemi zot shtëpie. Dhe na e morën për një vit. Prandaj këto zgjedhje janë referendum. Të kthejmë tapinë e shtëpisë. Të kthejmë statusin e të zotit të shtëpisë.”
Osmani kritikoi ashpër përpjekjet për blerje votash dhe manipulim politik me vullnetin qytetar:
“Ne nuk jemi popull që e shet vullnetin e vet zgjedhor për 1.000 denarë ose për një eskavator që kalon dhe bën një rrugë që nuk e ka bërë për 20 vjet.”
Në fjalimin e tij, Osmani theksoi edhe rëndësinë e bashkimit të spektrit politik shqiptar përmes Aleancës së re Kombëtare për Integrim, të cilën e quajti:
“…bashkimi më i madh kombëtar i shqiptarëve që nga viti 2001. Nuk ka pasur bashkim më të madh se tani.”
Ai theksoi se kjo aleancë nuk është formuar rastësisht, por si përgjigje ndaj zhgënjimit nga pushteti aktual:
“Kjo është bërë si thirrje e njerëzve të zhgënjyer nga ajo që po ndodh tashmë një vit… njerëzit që shkuan te VLEN çdo ditë kërkojnë takim, thonë kjo nuk ishte ndryshimi që kërkuam. Nuk ishte ky dinjiteti që kërkuam.”
Osmani bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm për kthimin e Çairit qytetarëve:
“Kërkojnë të bashkohemi, të dërgojmë mesazh se e duam tapinë e shtëpisë, dhe duam ta çlirojmë Çairin, dhe të nisë një Çair modern, i pastër, me rregull, pa korrupsion, në të cilin njerëzit do të mund t’i rrisin fëmijët e tyre pa shqetësim se si do të kthehen në shtëpi.”
Me një apel për pjesëmarrje masive, ai përfundoi:
“Ju faleminderit shumë për mbështetjen dhe pres që secili prej jush të dalë, t’i thërrisni njerëzit, t’i thërrisni fqinjët tuaj.”