Osmani flet për ndalimin e kameramanit: Nuk kam kërkuar arrestimin e tij, s’kam çfarë të fsheh

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar publikisht lidhur me incidentin e ndodhur të mërkurën, ku kameramani Jetmir Muji u ndalua afër shkollës ku ndjekin mësimet vajzat e saj.

Në një deklarim para mediave, Osmani ka mohuar kategorikisht se ndalimi është bërë me urdhërin e saj apo nga ekipi i saj i sigurisë.

“Ishte gënjeshtër që kinse mbrojtja ime e afërt e ka arrestuar gazetarin. Dje mbrojtja e afërt nuk e ka arrestuar, ata nuk arrestojnë gazetar. Ata kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, u shpreh presidentja.

Ajo sqaroi se ngjarja ndodhi në kohën kur fëmijët e saj po përgatiteshin të dilnin nga shkolla dhe se incizimi pa leje i të miturve është vepër e ndaluar nga ligji dhe etika mediale.

“Ju e dini shumë mirë që incizimi i paautorizuar është vepër penale, edhe e dini që në kodin e etikës për mediat e shkruara një nga nenet kryesore është ndalimi i incizimit të paautorizuar dhe pa lejen e prindërve për fëmijët nën moshën 18 vjeçare”, shtoi ajo.

Osmani po ashtu sqaroi se nuk është informuar për arrestimin e kameramanit në kohën kur ka ndodhur, dhe se nuk ka kërkuar e as nuk do të kërkojë ndonjëherë ndalimin e ndonjë gazetari.

“Nuk kam asnjë informatë as kur është arrestuar e as nga kush. Nuk kam bërë kërkesë, e as nuk do të bëjë ndonjëherë që të arrestohet ndonjë gazetar. Nuk kam çfarë të fsheh”, deklaroi presidentja.

Rasti ka hapur debat të gjerë në opinion për balancën mes të drejtës për privatësi dhe siguri të fëmijëve, dhe lirisë së medias për të raportuar, veçanërisht kur përfshihen figura publike dhe familjarët e tyre.

Presidentja ka theksuar se mbrojtja e fëmijëve të saj është e domosdoshme, sidomos për shkak të kërcënimeve të rënda që ajo dhe familja e saj kanë marrë, përfshirë kërcënime me dhunë dhe jetë.