Osmani: Ditën e parë shpall gjendje krize për papastërti, ndërtime pa leje dhe korrupsion

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, paralajmëroi se që në ditën e parë të mandatit të tij do të shpallë gjendje krize në tre fusha: papastërti, ndërtime pa leje dhe korrupsion.

“Të gjithë parametrat që i kemi analizuar gjatë muajve të fundit tregojnë se, nëse vazhdon ky trend pa vizion dhe pa punë, Çairit i kanoset kolaps i plotë i funksioneve bazë jetësore. Prandaj, në ditën e parë shpallim gjendje krize për papastërti, për ndërtime pa leje dhe për korrupsion,” theksoi Osmani.

Ai shpjegoi se veprimi i parë dhe më i dukshëm do të jetë në fushën e higjienës: “Nisim një aksion masiv për pastrimin e Çairit me angazhimin e kompanive private, aktivistëve, të rinjve dhe nxënësve të shkollave të mesme, si dhe organizatave joqeveritare. Formojmë Shtab Krize për Higjienë, i cili do ta koordinojë këtë operacion.” Osmani paralajmëroi gjithashtu një aplikacion përmes të cilit qytetarët, me një fotografi, do të mund të raportojnë papastërti, ndërsa shtabi i krizës do të reagojë menjëherë.

“Formojmë një ndërmarrje të re komunale me 120 punëtorë të uniformuar të higjienës. Njerëzit e parë që qytetarët do t’i shohin çdo mëngjes para shtëpive të tyre do të jenë punëtorët e kësaj ndërmarrjeje duke pastruar rrugët e tyre,” shtoi kandidati.

Osmani gjithashtu paralajmëroi projektin “Rrugë pa gropa” me synim që për 60 ditë të mbulohen të gjitha gropat. “Në shëtitjet e mia të mëngjesit, në orën pesë, kam evidentuar qindra probleme të tilla që mund të zgjidhen shpejt. Përveç kësaj, do të rinovojmë të gjithë sinjalizimin vertikal dhe horizontal për të vendosur rend në komunikacion,” tha ai.

Në fushën e urbanizmit, Osmani deklaroi: “Formojmë Shtab Krize për Ndërtimet pa Leje, një trup koordinues me inspektoratin ndërtimor, komunal dhe urbanistik. Nuk do të lejojmë asnjë pëllëmbë të ndërtohet jashtë ligjit. Të gjithë ata që ndërtojnë sipas rregullave do ta kenë mbështetjen tonë, por mafien që ka zënë rrënjë me ndërtimet pa leje do ta çrrënjosim.”

Është paralajmëruar edhe një revizion financiar i pavarur: “Çairi është komuna më e korruptuar dhe më joefikase financiarisht. Mbi 700 kontrata fiktive për aktivistë partiakë, dhjetëra mijëra euro për selitë partiake dhe tenderë për gropa me çmim prej 72 mijë denarësh për metër katror, kjo do të marrë fund që nga dita e parë,” tha Osmani.

Ai e përmbylli mesazhin e tij me një vizion të qartë: “60 ditët e para nuk do të jenë vazhdim i kaosit, por 60 ditë rendi, pune dhe shprese. Nuk premtoj mrekulli, premtoj punë. Çairi do të jetë vendi ku sërish do të besohet se komuna ekziston për qytetarët.”